Ligjet që u miratuan sot në Kuvend, PS rrëzoi Metën për vettingun në polici

Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotme plenare, e para pas zgjedhjeve të 25 Prillit, por me deputetët e “vjetër” miratoi gjashtë akte normative dhe rrëzoi dy dekrete të Presidentit Ilir Meta.

Ndryshimi i buxhetit të vitit 2021, marrëveshja për furnizimin me vaksina anti-COVID-19 Coronavax, akti normativ për letërnjoftimet, për pajisjen me pasaportë, por edhe ndryshimi në ligjin për regjistrin e pronarëve përfitues ishin disa nga vendimet e miratuara.

Dy dekretet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta që u rrëzuan nga seanca e sotme plenare, ishin ai për ndryshimet në vettingun në policinë e shtetit dhe për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Në 30 mars të këtij viti Ilir Meta e ktheu ligjin me argumentin se ka pësuar ndryshime të shpeshta dhe tashmë sipas tij duhet të ishte pranuar nga nismëtarët e të ishin nxjerrë përgjegjësitë për dështimin e kësaj nisme ose për një qëllim politik për të mbajtur këtë proces.

Gjithashtu Kuvendi sot vendosi për zëvendësimin e seancës plenare të parashikuar më datë 13 maj, që përkon me festën zyrtare të Bajramit, si edhe, me dakordësi mes palëve, u vendos shtyrja e seancës së radhës së kësaj jave, e parashikuar për ditën e enjte, 24 orë më pas, për në ditën e premte.

Kuvendi, në nder të ish-kryeministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino, mbajti sot një minutë heshtjeje.

Loading...