Në Farkë, Kuçovë dhe Bizë, bazat ku po bëhen stërvitjet e 5 mijë ushtarëve amerikanë në Shqipëri

Nisi në Shqipëri stërvitja më e madhe ushtarake e NATO-s, ku bazën kryesore ka portin e Durrësit. Në ceremoninë e hapjes, krahas presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, e pranishme ishte edhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, si përfaqësuese e vendit që do të drejtojë këtë stërvitje shumëkombëshe. “Dua t’i uroj mirëseardhjen gjeneralëve, 3 gjeneralë amerikanë 4 yje mblidhen në të njëjtën kohë në të njëjtin vend. Prania juaj konfirmon që roli i Shqipërisë në aleancë vetëm rritet. Shqipëria është pritëse e më shumë aktiviteteve se çdo vend tjetër në rajon.

Kjo nuk është rasteve. Shqiptarët kanë luftuar përkrah nesh krah për krah. Ne kurrë nuk do t’i harrojmë sakrificat tuaja. E njohim trimërinë tuaj dhe jemi të nderuar t’ju kemi në aleancë. Përgëzojmë vullnetin e Shqipërisë për të marrë përgjegjësi. Ju kurrë nuk keni hezituar për të ndihmuar. Na keni përsëritur gjithmonë dhe na keni treguar potencialin taktik dhe strategjik në Shqipëri. Kjo stërvitje është historike. Jemi gjithmonë krah për krah jush, tani, nesër e përgjithmonë” tha Kim.
Kryeministri Rama falenderoi forcat ushtarake për stërvitjen unikale, dhe theksoi se ky është një mesazh i qartë për rajonin, që Shqipëria do të qëndrojë përherë në krah të NATO-s. “Dua shumë të besoj se pas zbarkimit tuaj në Shqipëri, edhe juve do t’ju ndodhë ajo qe u ndodh të gjithëve, që do kërkoni të vini përsëri. Shqipëria është një vend ku kush vjen dëshiron të kthehet. Kam besim që kjo do të ndodhë edhe me ju”.

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka mbajtur fjalën përmbyllëse në Portin e Durrësit. “Një mundësi të shkëlqyer për forcat tona të armatosura për të testuar aftësitë operacionale të njësive dhe të strukturave, jo vetëm të luftimit por edhe atyre mbështetëse, duke rritur kështu nivelin e përgatitjes dhe ndërveprueshmërinë në përmbushje të misionit kushtetues dhe përgjegjësive tona ndaj aleancës”.

“Defender Europe 21” synon përgatitjen e forcave tona ushtarake për pozicionet mbrojtëse. Në këtë stërvitje marrin pjesë 28 mijë trupa ushtarake. Ajo shtrihet nga brigjet e detit Baltik deri në Ballkanin Perëndimor, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi. Ky dislokim, ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë.

Vendi ynë përfaqësohet nga 1000 trupa ushtarake. Rreth 5000 forca amerikane do të stërviten dhe veprojnë në Shqipëri nga muaji prill deri në qershor, në bazën ajrore në Kuçovë, në Farkë, në zonën e trajnimit në Bizë. Kjo stërvitje, me prezencë të trupave amerikane dhe NATO-s, do të vazhdojë deri në qershor, ku forcat e armatosura shqiptare do të kenë mundësinë të trajnohen me metodat më të fundit të mbrojtjes.

Loading...