Kandidati i PD-së për deputet në qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka ripërsëritur se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nuk do të njihen, pasi sipas kësaj force politike janë të vjedhura.
Pas takimit të djeshëm me kreun e PD-së Lulzim Basha në selinë blu, Gjekmarkaj ka bërë një deklaratë në të cilën shprehet se “do të bëjë gjithçka për të mërzitur kryeministrin”.
“Ka një frymë të madhe zemërimi tek demokratët dhe qytetarët. Mendoj që shumë shpejt qytetarët dhe demokratët duhet të jenë kudo për t’u përballur me këtë hajdutëri të pazakontë të vjedhjeve në Shqipëri.
Ne nuk do ta lëmë bosh Parlamentin, ne duhet të mbrojmë pozicionet tona. Duhet të mbrojmë përfaqësimin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë madje dhe të asaj pjese që iu ble dhe iu trukua vota. Por, sigurisht këto zgjedhje nuk do të njihen nuk do pranohen, por Parlamenti nuk do të jetë bosh.
Këto zgjedhje nuk janë fituar sepse janë vjedhur. Këto zgjedhje nuk janë fituar se janë vjedhur. A ka vend për reflektim? Sigurisht ne kemi pritur fitore dhe për arsye teknike më saktë inxhinierike fitorja nuk erdhi dhe vend për reflektim ka, tek Zoti Basha tek unë tek të gjithë.
Por nuk mendoj se lidershipi i zotit Basha vihet në diskutim. Tani nuk është koha të mos krijojë probleme artificiale dhe të spostojmë vëmendjen. Sepse kryeministri është i interesuar që debati të zhvillohet tek Partia Demokratike”, shpreh Gjekmarkaj për Top Channel.