” Vendi qënka sofr’e qorrit, vlen për goj’ë për lëfytë. Bëni sikur vëni vetull, shoku -shokut kreni sytë…”

Nga Genc Demiraj

“Sofr’e qorrit…”

Ka vërshuar një betejë akuzash dhe kundër akuzash, korrupsioni, morali dhe deri në përfshirje kriminale ndërmjet politikanëve, saqë s’ka mbetur mendje njerëzori pa u çoroditur ! Lumi i zullumeve te deklaruara është aq i frikshëm dhe maramendës sa që frymën mbajmë çdo mbrëmje për të dëgjuar hyjneret e rradhës. Si një lukuni ujqërish politikanët i janë turrur njëri -tjetrit duke përfshirë në meselera të ndërlikuara edhe sojin e sorollopin e tyre fisnor. Nuk u ka mbetur më arsenal akuzash, fyerjesh dhe sharjesh sa janë kthyer dhe katandisur në telendarë të pështirë dhe ordinerë. Në foltoret kuvendore dhe mediatike, të gjithë shajnë njëri -tjetrin dhe po të gjithë përgënjeshtrojnë, kacafyten, baltosen, ulërasin, kërkojnë me çdo kusht fajësine e tjetrit dhe pafajesinë e vetes. Duan me patjetër të na mbushin mëndjen ne qyqarëve për ndershmërinë e tyre dhe të partisë së tyre ! Jemi shushatur vërtet me këtë politikë të marrësh, jemi shushatur më shumë jo për ato që thuhen dhe po dëgjojmë, pasi i njohim dhe e dimë evoluimin e tyre pasuror…por për vërtetësinë e sentencës që : “budallait i bën ballë vetëm budallai..”
…Ishim mësuar në një farë mënyre, gjithë këto vite, dhe nuk na bënte përshtypje tek shikonim në mes tonë se si një hiç që e zinte lapsi dhe bëhej dikushi, deputet, pushtetar apo zyrtaruc…tjetërsohej paskëtaj jo vetëm në nur dhe elegancë por edhe në ekonomi. Të mirat materiale sikur binin nga qielli. Pasuria shtohej, pronat mbinin gjithandej dhe bizneset lulëzonin… I dinim, i kishim parë dhe dëgjuar qysh më parë dhe s’bënim zë…sepse edhe po te bënim, nuk kish kush dëgjonte. Ndaj ishim mësuar të heshtnim duke thënë : – u lumtë …kanë fat. Na vinte edhe inat se mes tyre kish edhe injorantë apo gjytyrymë kokëgdhë…por ne vetëm heshtnim duke shfryrë me psherëtima dufin vetëm kafeneve ! Të gjitha i dinim dhe sdo ketë shqiptarë te mos i dinte por pafuqia dhe pasiguria nuk na linte.
…Dhe sot ne po habitemi dhe shushatemi jo per bëmat e kryera…por për tragjikomizmin që po luhet… Hajdutët po demaskojnë hajdutët ! I kane hyrë mbarë demaskimit me rrënjë dhe me degë, gjer në brezninë e shtatë… Por frikën ja kemi më shumë se ndershmërisë dhe trimërisë se tyre, bllofit dhe hilesë.. – “Se kur vete kusëri, dy hile një trimëri…”
… Jemi te çuditur me mishmashin e politikës sonë, ku njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit! Që shajnë dhe përgjërohen me emrin tonë, që luten dhe përbetohen për vendin dhe kombin por që për prekje dhe cënime interesash…bëhen bllok !
…” Vendi qënka sofr’e qorrit, vlen për goj’ë për lëfytë.
Bëni sikur vëni vetull, shoku -shokut kreni sytë…”

Loading...