Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Bujar Nishani deklaroi në “Bardh a Zi” në ABC se PD duhet të reformohet për të bindur sa më shumë shqiptarë që të shkojnë në kutitë e votimit në mënyrë që Edi Rama të largohet nga pushteti.
Zërave se po i shërben Edi Ramës duke kërkuar largimin e Bashës, Nishani iu përgjigj se tashmë pas fitores së 25 prillit, Rama nuk ka nevojë më për asnjë shërbim por theksoi se PD duhet të marrë masa që Rama të mos jetë në pushtet sërish pas katër vitesh. Nishani shtoi se Basha premtoi një Shqipëri europiane por sot nuk ka dhënë ende dorëheqjen pavarësisht humbjes përballë socialistëve.
“Unë mendoj që nuk ka ndonjë shqiptar të përgjegjshëm në këtë vend që nuk e beson që në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje që nga 2013 e në vazhdim. Ka pasur grabitje në 2015, 2017, 2019. Më e keqja është se këto nuk do ndalojnë por do vazhdojnë. Nuk ka zgjedhje dhe nuk do ketë derisa Edi Rama të jetë kryeministër i këtij vendi. Edi Rama duhet të rrëzohet me votim. Shqiptarët rrëzuan diktaturën më të vjetër të Europës.
Në 91-shin partia e Punës hyri në garë në kuadrin e pluralizmit. Dallgën e madhe në kutitë e votimit nuk e ndalonte dot më. Duhet të marrësh përsipër përgjegjësinë si drejtues i opozitës duke bindur shqiptarët që do sjellësh ndryshim. Dhe humbja nuk i faturohet një njeriu. Nuk është e keqja Lulzim Basha. E keqja është Edi Rama. Basha nuk e ka rrëzuar dot dhe nuk ka për ta rrëzuar dot.
Edi Rama e fitoi atë që donte, Nuk ka nevojë për asnjë shërbim më. Kush i ka shërbyer Edi Rama I ka shërbyer deri më 25 Prill. Blendi tha që duhet të ikë Edi Rama. Edi Rama ka tetë vite që nuk ikën.
Pas 12 vitesh pot ë vazhdojmë të themi të gjejmë një mekanizëm që të heshtim, do jetë Edi Rama prapë. Unë kam përgjegjësi qytetare. E keqja e këtij vendi është Edi Rama. Ka modelin e qeverisjes më të inkriminuar. Edi Ramën e rrëzon vetëm nëse në kutitë e votimit shkojnë 1 mln shqiptarë dhe jo 600 mijë shqiptarë. Ata kanë ndenjur në shtëpi sepse nuk janë bindur.
Harta ka një tregues. Jo se në Shkodër nuk ka përdorur vjedhje. Pse në Lezhë nuk ka përdorur banda. Në Dibër nuk ka përdorur? Por aty PD është më e fortë e gjithë kjo makineri masakre nuk mundi ta nxjerrë humbëse PD-në. Nuk e gjykoj Bashën unë nëse ishte i butë apo i lehtë.
Projekti i Bashës që ai erdhi dhe ia kërkoi anëtarëve të PD. Basha tha se nesër në qeveri do ta çoj Shqipërinë në Europë. Çështja e dorëheqjes është mendësi europiane. Ai tregoi se nuk u ka thënë të vërtetën shqiptarëve sepse nuk ka model europian por afrikan. Unë kam merakun që PD të kthehet në parti të madhe që t’i bindë shqiptarët dhe ta fshijnë Edi Ramën”, deklaroi Nishani.