Më 10 maj, ministrat e jashtëm të BE-së diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Jashtëm e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen të hënën më 10 maj për të diskutuar marrëdhëniet transatlantike dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një ndër pikat kryesore të bisedimeve, në takimin që do të kryesohet nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, ku i pranishëm do të jetë edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak do t’i informojë ministrat në lidhje me përgatitjet për një raund të ri të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, pas zgjedhjes së krerëve të ri të Kosovës, pas zgjedhjeve të mbajtura më 14 Shkurt.
Në kuadër të debatit për situatën në rajon, sipas njoftimeve të zyrtarëve në Bruksel, do të diskutohet “qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor” dhe në veçanti në lidhje me non-paperat të cilët kanë qarkulluar javët e fundit, duke trazuar ndjeshëm gjakrat në rajon.

Ndërkohë që nja nga aspektet kryesore të diskutimit do të jetë edhe ndihma e unionit për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, vaksinat dhe mjetet e nevojshme për përballimin e krizës.

Në axhendën e publikuar nuk jepen detaje nëse do të diskutohet edhe për procesin e anëtarësimit të vendeve të rajonit, në veçanti për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të cilët pritet mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Edhe pa diskutim, është e qartë se Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane. Ne do të merremi me politikën e jashtme”,tha një zyrtar evropian.

Loading...