Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Dhori Kule, është duke zhvilluar një takim me studentët e këtij fakulteti. Takimi vjen paralelisht me protestën që po zhvillohet ditën e sotme nga studentët.
Kule i ka mbledhur studentët në dekanatin e këtij fakultetit. Report Tv ka mësuar se studentët kërkojnë dorëheqjen e Kules, për shkak të keqmenaxhimin dhe abuzimin në këtë fakultet.
“Keqmenaxhim dhe abuzime në fakultet. Kule të japë dorëheqjen”,-mësohet se janë shprehur studentët. Takimi që po zhvillohet sot ishte parashikuar të zhvillohej që në 15 dhjetor, por në takimin e organizuar nga studentët, Kule nuk mori pjesë.
Takimi i Kules me studentët vjen pak ditë pas kritikave të Kryeministrit Edi Rama për rektorët dhe dekanët e të gjitha Universiteteve në vend. Rama paralajmëroi rektorët dhe dekanët se pas protestës së studentëve, do të rishikohej autonomia e universiteteve.
Studentët që ndodhen në takimin në Fakultetin e Ekonomisë me dekanin Dhori Kule kanë kërkuar përgjigje për realizimin e 8 pikave të kërkuara prej tyre.
Takimi i Kules me studentët:
Dhori Kule: Kushtet janë vërtet katastrofë. Jemi si të burgosur. Do ishin marrë masat menjëherë, se kishim ne në dorë.
Studentët: Të ishim më racionalë. Para disa ditësh u bë takimi me kryeministrin, ishte shfaqja më e turpshme që kam parë. Ishte një person që ofendoi gjithë dekanatin dhe kishim një dekanat që s’e mbrojti veten në asnjë moment. Tani, meqë Rama ua hodhi juve fajin, a jeni gati ju të realizoni 8 pikat? A kemi një afat? (Studentët duartrokasin)
Dhori Kule: Ja e kuptoni rolin tuaj? Kemi bërë kërkesë-propozim për uljen e tarifave.
Studentët: Bëji publike propozimet dhe kërkesat bashkë me letrat e dorëzuara.
Dhori Kule: Ne jemi të gatshëm të plotësojmë 8 kërkesat tuaja./Shqiptarja