Debate në KAS, avokati i PD: Pse refuzoni të merrni prova nga prokuroritë

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka nisur mbledhjen për shqyrtimin e kërkesave të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Beratit, ku kërkohet pavlefshmëria për këtë qark.

Partitë e opozitës kanë paraqitur provat e tyre lidhur me pretendimet që kanë me procesin zgjedhor. Gjatë diskutimeve, nuk kanë munguar as debatet. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në debat me anëtarin Ilir Rusmalin, ka kërkuar se përse KAS nuk merr prova nga prokuroritë.
Pjesë nga debati:

Marash Logu: PD mendon që është shumë e qartë në qëndrimet e saj.

Ilir Rusmali: Mund të na thoni në rrethin e provave që keni për sa raste bëhet fjalë për blerje votash?

Marash Logu: Për të gjitha rastet të shitblerjes së votës kemi depozituar kallëzime penale. Ne kemi denoncuar raste të shumta të blerjes së votave.

Ilir Rusmali: Përgjigjja juaj është raste të shumta, e kam të qartë.

Marash Logu: Kjo është arsyeja që ne i sjellim këto kallëzime që i kemi depozituar që në datën 7 prill. SPAK me siguri ka kryer hetime dhe ne ju kërkojmë vazhdimisht ju që merrni informacion nga prokuroritë. Cila është arsyeja që ju refuzoni të merrni prova nga SPAK?

Ilir Rusmali: Këtë nuk e dini ju.

Marash Logu: Kallëzimi i rremë është vepër penale. Nuk bëjmë ne kallëzime të rrema. Pse refuzoni të merrni prova nga prokuroria?

Ilir Rusmali: Refuzimin dhe pranimin e merr nga trupa. Ke dhënë dy përgjigje. Për mua janë të dyja të mjaftueshme.

Marash Logu: Për 22 rastet që kemi folur, kemi depozituar ato prova që kemi pasur në dispozicion. Kjo është bërë për të lehtësuar punën e KQZ. Ne kemi kërkuar që të merren informacione zyrtare nga institucioni shtetëror. Kuantifikimi që ju kërkoni mund të dalë nëse ju pranoni të administroni prova nga PD.

Loading...