Ashtu si Dedë Nimani, efektivi i RENEA-s është shprehur sot para gjykatës së Tiranës se nuk njihet me dy personat e tjerë më të cilët e arrestoi policia.
Xhuljo Liçi, të cilin anti-droga e kapi me pakon e kokainës në dorë në aksin rrugor Tiranë -Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit, mësohet të ketë thënë se merr shpesh njerëz që nuk njeh në makinë për t’i ndihmuar.
“Marr njerëz kur udhëtoj pasi jam njeri human. Jam rritur jetim, dhe gjithmonë kur shoh njerëz të moshuar i marr në makinë. Unë jam polic në Fier dhe po udhëtoja nga ky qytet drejt Tiranës .”
Ai deklaroi se është rritur pa babain, pasi e ka braktisur në moshë të vogël dhe se përgjithësisht rrugës së kthimit merr njerëz në automjet.
“Në zonën e plepave një person ngriti dorën dhe unë e mora në makinë. Me vete kishte një pako që e vendosi në bagazh”.
Të njëjtën gjë ka dëshmuar sot edhe Dedë Nimani. Ai tha se, shoferit ( Xhuljo Liçit) nuk mundi t’i mësonte as emrin, dhe se ky i fundit i erdhi në ndihmë pasi kishte dalë duke bërë autostop. Efektivi i RENEA-s u ka kërkuar të gjithë shokëve dhe miqve e të afërmve falje, ndërsa shton se ka besim tek pafajësia e tij pasi për 6 vite, detyrën e policit e ka ushtruar me ndershmëri.