Bill Gates ‘ikën’ nga Microsofti, dyshimet janë se kishte lidhje dashurie me punonjësen

Mediet amerikane shkruajnë se miliarderi Bill Gates ka dhënë dorëheqjen nga firma Microsoft pas një hetimi të brendshëm që u bë me dyshimin se ai kishte lidhje dashurie me një punonjëse.

Anëtarët e bordit punësuan një firmë ligjore për të kryer një hetim në fund të vitit 2019, pasi një letër e mbërritur në adresë të tyre shkruante se një inxhinjere e Microsoftit pretendonte një marrëdhënie seksuale disavjeçare me shefin e saj miliarder, Bill Gates.

Kjo marrëdhënie e cilësuar e papërshtatshme me një anëtar të stafit, bëri që Gates të jepte dorëheqjen.

Sipas medieve amerikane, shefi i Microsoftit dha dorëheqjen para se hetimi i bordit të përfundonte dhe përpara se bordi të merrte një vendim zyrtar mbi këtë çështje.
Ndërkohë, zëdhënësi i Bill Gatesit ka thënë për rastin se vendimi i marrë nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Sipas tij, Gates kishte vite që kishte shprehur interesin për të kaluar më shumë kohë me organizatën e tij filantropike.

Microsofti ka konfirmuar që një hetim ishte nisur duke shtuar se gjatë gjithë hetimit, Microsofti siguroi mbështetje të gjerë për punonjësen që ngriti shqetësimin, por pa dhënë më shumë shpjegime.

Ky lajm vjen vetëm disa javë pasi Gates njoftoi se ai dhe gruaja e tij prej 27 vjetësh, Melinda, ishin divorcuar. Në një deklaratë të përbashkët të postuar në Twitter, ish-çifti nuk dha asnjë shpjegim për ndarjen e tyre.

Dyshimet për një lidhje jashtëmartesore dhe miqësia e Bill Gatesit me Jeffrey Epsteinin ishin shqetësime që Melinda Gates kishte në këtë lidhje, shkruajnë mediet amerikane.

Loading...