Analistët në vend kanë komentuar vendimin e SHBA për shpalljen e kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij non- grata në tokën amerikane. Sipas tyre, ky vendim shënon fundin e periudhës së mosndëshkimit të elitave politike dhe përballjen e tyre me akuzat për korrupsion.
Analisiti i njohur i politikës dhe përfaqësues i komunitetit të gazetarëve, Aleksandër Çipa, thotë se kjo shënon ngjarjen më të rëndë midis udhëheqësve politikë shqiptarë dhe SHBA. Por më e rëndësishmja e kësaj ngjarjeje, tha zoti Çipa, është zbritja e protagonistëve politikë nga lartësitë e paprekshme në përballjen ligjore me akuzat për korrupsion.
“Ky është një moment i ri përmbyllës i kapitullit të ashtuquajturit tranzicion në Shqipëri, ku kasta dhe elita politike ishte njëkohësisht sunduese e ligjit shqiptar dhe një ndër arsyet pse kishim një ineficencë të sistemit të drejtësisë. Ky është edhe një realitet i ri në gjithë realitetin shqiptar. Pandëshkueshmëria ka qenë një lloj sundimi i padëshirueshëm dhe pengmbajtës për vendin dhe zvarritjen e Shqipërisë nëpër të ashtuquajturën kohë të tranzicionit”, tha zoti Çipa.
Analisti i njohur Mentor Kikia thotë se deklarata e sotme e sekretarit Blinken është deklarata më e ashpër që SHBA kanë publikuar për ndonjë politikan shqiptar që nga viti 1997.
Edhe pse në hije, shtoi ai, zoti Berisha ndikon fort në cdo qëndrim të PD-së që nga reforma në drejtësi e deri në gjithcka tjetë, sepse ka ndjekësit e tij në gjirin e saj.
“Kjo deklaratë e ashpër që vjen sot në adresë të zotit Berisha është një fshikull e fortë, së pari për rolin që ai vazhdon të ketë në Partinë Demokratike, e cila duhet të qëndrojë për një tjetër mandat në opozitë, si dhe për rrezikun, që ai mund të frymëzojë një lëvizje radikaliste pranë kësaj partie. Faktori i dytë mund të jetë rezistanca apo deklaratat që bëhen kundër reformës në drejtësi, dhe kjo mund të paralajmërojë edhe një procedim të shpejtë ndaj zotit Berisha nga ana e SPAK-ut” – tha zoti Kikia.
Vëzhguesit e politikës pohuan se ngjarja e sotme është një pikë kulmore në marrëdhëniet shpesh të tensionuara mes SHBA-ve dhe ish presidentit e ish kryeministrit Berisha, aq sa tani listohet si e padëshirueshme edhe gjithë familja Berisha, gjë që është një akt sa i rrallë edhe domethënës.
“Shpallja non grata nga sekretari amerikan i shtetit e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Berisha është një lajm tronditës. Deklarata është një zile zgjimi për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shqipërisë dhe një kujtesë për të gjithë se abuzimi me pushtetin dhe shkelja e ligjit, nëse nuk ndëshkohet nga drejtësia vendore, nuk harrohet dhe nuk anashkalohet nga SHBA-të. Një lexim i rëndësishëm i deklaratës ka të bëjë me faktin se në të përcillet një mesazh shumë i rëndësishëm dhe i përsëritur nga Uashingtoni: nevoja për përgjegjshmëri dhe transparencë nga institucionet publike të Shqipërisë ndaj procesit të qeverisjes dhe i veprimeve të zyrtarëve shqipytarë ”, thotë analisti i njohur Lutfi Dervishi.
Analistët e politikës mendojnë se kjo ngjarje do të ndikojë edhe në jetën e Partisë Demokratike, sepse zoti Berisha prej kohësh udhëhoqi atë qysh nga themelimi dhe u akuzua se e mbajti nën kontroll pa ndërprerje, edhe pse humbi zgjedhjet më 2013 dhe u largua me dorëheqje./VOA