Darka në Bruksel bën bashkë Ramën dhe Albin Kurtin, çfarë diskutuan me njëri-tjetrin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zbuluar se gjatë vizitës së tij në Bruksel ka mundur të takojë edhe kryeministrin shqiptar, Edi Ramën me të cilin ka patur mundësi edhe të diskutojë.

Në një postim në Facebook, ku ndan foto me Ramën, Kurti shprehet se ka biseduar me të “për format e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit” mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Postimi i Albin Kurtit

Gjatë vizitës në Bruksel për darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, pata takime me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, z. Josep Borrell, që ishte edhe nikoqir i darkës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, z. Miroslav Lajčák, dhe Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, znj. Viola Von Cramon. Kurse me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u takuam miqësisht e pa protokoll, para darkës, e për të diskutuar mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes dy shteteve tona.
Kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për të përfaqësuar Kosovën dhe qeverinë e re të saj reformiste të dalur nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit, për të diskutuar rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, si dhe mundësitë për të rritë ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe përtej e pas saj.

Loading...