Dinamika e treguesve financiarë, investimet e realizuara gjatë periudhës në fjalë, transformimi i qytetit në të gjitha dimensionet e tij, kanë krijuar tek Leli dhe stafi që ai drejton, bindjen dhe optimizmin për të synuar tregues të tjerë, që jo vetëm konsolidojnë atë çka është arritur, por i hapin rrugë një faqeje të re në zhvillimin e Vlorës.
Motoja e Lelit, “Vlora, qyteti që projekton të ardhmen”, e mishëruar në përditshmërinë e aktivitetit të tij, konkretizohet edhe në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm të kësaj bashkie.
Sipas tij, ky dokument i rëndësishëm, që është diskutuar me grupet e interest dhe me komunitetin gjatë disa javëve dhe që pritet t’i paraqitet për miratim këshillit të bashkisë, është mekanizmi që bashkon në një të vetme, sinergjinë e të gjithë faktorëve lokalë për të investuar fort në të gjithë kolonat që garantojnë perspektivën e qytetit.
Këtu nuk është fjala thjesht dhe vetëm tek investimet në infrastrukturë, por tek ato dimensione që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm, tek shfrytëzimi i të gjithë faktorëve lokalë, tek kapacitetet njerëzore menaxhuese, tek vlerësimi i përvojave. Këtu e ka bazën edhe filozofia e tij dhe e stafit që ai drejton, që lidhet me taksimin e barabartë të qytetarëve, bazuar edhe në politikat respektive të qeverisë dhe transparencën e plotë të administrimit të të ardhurave, për t’i kthyer ato në produkte konkrete dhe investime e shërbime për komunitetin.
“Premtimi im ka qenë që, taksimi të jetë i barabartë, në mënyrë që, të gjithë qytetarët të bëhen pjesëmarrës në pagesën e taksave bashkiake”, thotë Leli. Sipas tij, “pa paguar taksat asnjëherë nuk do të mundemi që të bëjmë qytetin, asnjëherë nuk do mundemi që të bëjmë investimet që duam dhe të rregullojmë Vlorën”.
Dhe për të argumentuar këtë, ai evidenton dinamikën në rritje progresive të numrit të bizneseve të rregjistruara gjatë tre viteve të fundit, të cilat gjatë vitit të ardhshëm, pritet të shënojnë një nivel rekord.
Aktualisht numërohen 4700 subjekte, ndërkohë që në 2019-ën, ky numër parashikohet të shkojë në më shumë se 5100. Kjo, për kryebashkiakun vlonjat është një tregues konkret i asaj se, nëse ka korrektesë, nëse prodhohet infrastrukturë, nëse prodhohet ekonomi, nëse u jepet njerëzve një dritare për të parë të parë të ardhmen, atëherë sigurisht që imazhi do të jetë ai që reflekton sot Vlora e transformuar.
“Kjo na tregon të gjithëve që, nëse jemi korrektë, nëse prodhojmë infrastrukturë, në se prodhojmë ekonomi, nëse u japim njerëzve një dritare për të parë të ardhmen, absulutisht, ky është imazhi. Kjo është ajo që tregon që ky qytet po rritet, po ecën përpara. Dhe unë jam i bindur që Vlora ka të gjitha mundësitë, ka të gjithë potencialin dhe falë vëmendjes së jashtëzakonshme të Qeverisë Shqiptare dhe të Kryeministrit Rama, unë jam i bindur që në vitin e ardhshëm, do të arrijmë tregues të tjerë më ambiciozë”, citon kreu i Bashkisë së Vlorës.
Ai thotë se, se, janë shumë subjekte që janë në proces për fillimin e aktivitetit, që kanë nisur procedurat e pajisjes me leje dhe që do të ushtrojnë aktivitetin në “Lungomare”, apo përgjatë të gjitha akseve të investimeve që janë duke u realizuar.
Dhe, këtu është edhe pika më delikate e të gjithë këtij angazhimi, që lidhet me mirëadministrimin, me transparencën, me vizionin për të orientuar të gjithë faktorët, në drejtimin e duhur.
“Ne jemi këtu, për të kthyer në investime dhe shërbime, çdo pagesë tuajën me transparencë të plotë për çdo qindarkë të harxhuar”, u drejtohet kryebashkiaku Leli, bashkëqytetarëve të vet, të cilët i falënderon njëkohësisht për mbështetjen që i kanë dhënë në këto vite. Në këtë arsyetim ai sqaron se, në vitin 2017 u regjistrua një rritje e konsiderueshme e të ardhurave, që vazhdoi me të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit në vazhdim, ndërkohë që dinamika dhe rritja për 2019-ën, do të jetë edhe më e konsoliduar.
Por, për këtë, nevojiten edhe përmirësime të mëtejshme në administrim, në politika, në harmonizim edhe me ato në nivel qendror.
Sipas tij, duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, me politikën e re të taksimit qëndron në themel sentenca që njerëzit duhet të paguajnë mbi bazën e pasurisë që kanë.
“Nuk ka asnjë sens që të moshuarit për shembull, të paguajnë njësoj me një biznesmen që ka sipërfaqe banese shumë më të madhe se sa një pensionist”, thotë Leli.
Ka banesa që nuk taksohen, për të cilat nuk paguhet asgjë. Nuk është korrekte që, një familje pensionistësh me një sipërfaqe banese 50 apo 70 metra katrorë, të paguajë taksa, të jetë korrekte me taksat dhe ata që kanë pa fund pasuri, kanë kate të tëra pa shfrytëzuar, të mos paguajnë asgjë.
“Me sistemin e ri, me politikën e re të taksimit, të gjithë duhet të ndihen mirë dhe të barabartë. Dhe mendoj se, kjo është mënyra më korrekte për t’u bërë kontribues sipas asaj që ne kemi tonën”, shprehet kryebashkiaku vlonjat.
Për këtë, të gjithë do të duhet të plotësojnë një formular, formularin e vetëdeklarimit për pasuritë e paluajtshme, përmes të cilit, do të mundësohet dhe do të konkretizohet kjo filozofi, ku të gjithë duhet të paguajnë në mënyrë korrekte. Të gjithë të interesuarit duhet të paraqiten në sportelet e Bashkisë së Vlorës, në sportelet e njësive administrative, për të marrë të dhëna dhe për të ofruar informacionet e nevojshme.
Sipas tij, kjo shoqërohet me shtrirjen e taksimit tek të gjithë aktorët lokalë që parashikon ligji, rritjen e të ardhurave dhe për rrjedhojë edhe të investimeve.
Buxheti total për vitin e ardhshëm, parashikohet të jetë rreth 2.2 miliardë lekë, prej të cilave 1.8 miliardë lekë llogariten të sigurohen nga të ardhurat e vetë bashkisë, ku taksat dhe tarifat vendoreje do të kontribuojnë me rreth 1.3 miliardë lekë, nga të cilat 82.16 përqind janë kontribut i qytetit të Vlorës.
Nisur nga parimi se, investimet janë në përputhje edhe me kontributet mbi të ardhurat, për vitin 2019, janë hartuar projekte që shkojnë në një raport të drejtë të shtrira në të gjithë territorin.
“Kontributet mbi të ardhurat, janë ato që përcaktojnë, ose kërkohet që të përcaktojnë pjesën e investimeve”, thotë Leli, duke rreshtuar edhe disa nga projektet konkrete që do të implementohen gjatë vitit të ardhshëm.
Mes tyre, përfshihen ndërtimi i ujësjellësit të fshatrave Dukat, Tragjas, Jonufër dhe Radhimë, me një vlerë të përgjithshme prej 4.5 milionë euro, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku Bashkia do të kontribuojë me 10 përqind të vlerës, prej më shumë se 400 mijë euro, investime në shkolla 9-vjecare dhe të nivelit parashkollor, rikualifikimi i bllokut të banesve të kufizuar nga bulevardi” Çamëria”, rruga “Pelivan Leskaj”, Bulevardi “Pavarësia”, rruga “Pirro Sava”, rikualifikimi i bllokut të banesave kufizuar nga rruga “Bulevardi Çameria”, rruga “Pelivan Leskaj”, rruga “Ibrahim Abdulla”, dhe rruga “Pirro Sava”, rikualifikimi i bllokut të banesave kufizuar nga Bulevardi “Ismail Qemali”, Rruga “Hasan Kushta”, Rruga “Gjergj Arianiti” dhe “Gjergj Kastrioti”, rikonstruksion i shkollës “Balil Pelari”, Orikum , rikonstruksion i Kopshtit nr.3, ndërtimi i palestrës së shkollës “Halim Xhelo”, rehabilitimi i Varrezave të Dëshmorëve, rikonstruksion i rrugës lidhëse midis Palestrës së Mundjes dhe Shkollës “Industriale”, rikonstruksioni i rrugës “Lik Seiti”, rrugës “Fan Noli”, sistemimi i bblokut të banesave tek pallatet “Gorishti”, sistemimi i bllokut të banimit i kufizuar nga rrugët “Nermin Vlora Falaski”-“Dush Strati”. rikonstruksioni i rrugëve “Jani Gjonçari”, “Tasim Rakipi”, “Iliria”, “Petrit Bisha”, “Dom Mark”, “Zenel Gjoleka”, “Miss Durham”, “Drashovica”, “Nikolla Xhuveli”, rruga e vjetër kombëtare “Vlorë-Fier”.
Po ashtu, do të rikonceptimi i shesheve të 3 fshatrave Mifol, Bestrovë e Llakatund, me një vlerë prej 12 milionë lekësh, si edhe riasfaltimi i disa segmenteve rrugore rurale, siç janë ato të fshatrave Xhyherinë, “Beshisht-Mekat-Çeprat, Babicë e Vogël, Trevllazër, Kërkovë-Oshëtimë, Radhimë Fshat etj.
Për këtë qëllim, në strukturën e projektbuxhetit, investimet përbëjnë 15 përqind, me rritje të dukshme në vlerë absolute krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, për Arsimin Parauniversitar që ka kaluar tërësisht në varësi të qeverisjes vendore, janë parashikuar 64 përqind e shpenzimeve nga transfertat e pakushtëzuara që do të përdoren për këtë qëllim.
Kryebashkiaku vlonjat sjell në vëmendjen e qytetarëve edhe problemin e ndriçimit të qytetit. Për këtë ai evidenton shembullin e segmentit “Transballkanikja”, e cila dikur kishte vetëm 6 burime drite, ndërkohë që sot është plotësisht e ndriçuar sipas një projekti modern, që veç të tjerash krijon edhe një pamje estetike mjaft tërheqëse e bashkëkohore.
Ky aks rrugor, sipas Lelit, përfaqëson në vetvete atë proces transformimi që ka prekur të gjithë hapësirën urbane të qytetit të Vlorës, ku, sot ndriçimi është një nga elementët e dukshëm të këtij ndryshimi.
Sot, në Vlorë numërohen 52440 burime ndriçimi(të gjitha të reja), krahasuar me 1150 që ishin në vitin 2015, çka i jep qytetit pamjen e një mjedisi urban modern gjatë orëve të natës.
Ky transformim është shoqëruar edhe me një rritje të fondit që është destinuar për këtë qëllim që, aktualisht shkon në një vlerë vjetore prej 1.1 miliardë lekë, krahasuar me 400 milionë që ishte ky tregues në vitin 2015.
“Por, duhet të theksoj këtu se, implementimi i teknologjive të reja dhe bashkëkohore në fushën e ndriçimit, siç është ajo e led-ave, ka përmirësuar dukshëm koeficientin e shfrytëzimit të energjisë, duke ulur në mënyrë të ndjeshme normën e konsumit, e cila dikur ka qenë tepër e lartë”, nënvizon Leli.
Sipas tij, standardet aktuale të ndriçimit të qytetit kanë një faturë financiare shumë më të ulët, krahasuar me dy treguesit respektivë të vitit 2015, në raport me njeri tjetrin, çka ka bërë që, të hartohen projekte të tjera në këtë fushë, duke përmirësuar standardet edhe në zona të tjera të qytetit, ku ka ende mangësi.
Investimet e mësipërme, u bashkohen projekteve madhore që janë në proces, ku veçohet rikonceptimi dhe rikonstruksioni i bulevardit “Ismail Qemali”, ose Vlorë-Skelë. Projekti përkatës i hartuar nga stafi i Bashkisë në bashkëpunim me arkitektin hollandez, Martin Sobota, do ta shndërrojë këtë bulevard, sipas kryebashkiakut vlonjat, në një mjedis të pyllëzuar, në një hapësirë të frekuentuar nga banorët dhe turistët e shumtë që vijnë në qytet, veçanërisht gjatë periudhës së verës.
“Çdo investim më shumë sjell ekonomi më shumë dhe biznese më shumë mirëqenie për qytetarët e Vlorës”, shprehet kryetari i bashkisë, Dritan Leli, me bindjen se, projektbuxheti i vitit 2019, që mori mbështetjen e qytetarëve vlonjatë gjatë javëve të diskutimit, do të shndërrohet në dokumentin e konsolidimit të transformimit të Vlorës./atsh