Objektivi është parandalimi i gjuetisë dhe mbrojtja e jetës së egër në këtë park, ku vlerat natyrore zënë një vend kryesor në thesarin e vlerave të tij.
Punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Gjirokastër u bëjnë apel të gjithë dashamirësve të natyrës të kontribuojnë në parandalimin njëherë e përgjithmonë të fenomenit kriminal të gjuetisë së paligjshme.
Parku natyror “Zagoria” shtrihet mes vargmaleve Shëndëlli, Lunxhëri, Bureto, Trebeshinë, Dhëmbël e Nemërçkë, më të mëdhenjtë dhe më të lartët në jugun e vendit. Zagoria ngjan brenda kësaj kurore malesh si një “perlë e rrallë natyrore”.
Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e biodiversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin, mjaftueshëm për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj. /atsh