Maji i përgjakur në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë! Në 21 ditë, 6 vrasje

Delon Troqe ishte në shoqërinë e familjarëve, kur u qëllua me breshëri kallashnikovi, para biznesit të tij. Një atentat mafioz që tronditi Vlorën për herë të dytë brenda këtij muaji. Në 21 ditët e para të majit, në vend u regjistruan gjashtë vrasje, katër prej tyre atentate të mirëfillta nga veriu në jug. Ndodhën në qytetet që tashmë janë tradicionale për shkrehjen e kallashnikovit, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Në Vlorë, në harkun kohor të dhjetë ditëve u ekzekutuan dy persona, të dyshuar për përfshirje në punët e drogës, të dy në Spanjë.

Vritet Bledar Birçaj në Vlorë

Bledar Birçaj, 40 vjeç, po lëvizte me automjetin e tij në mes të ditës, kur në drejtim të tij u qëllua me breshëri plumbash. Birçaj mbeti i vdekur në vend. Në makinë me të ishin edhe dy persona të tjerë, të cilët shpëtuan për mrekulli. Dy atentatorët qëlluan pa mëshirë në drejtim të 40-vjeçarit. U larguan në drejtim të paditur, dhe 12 ditë pas ngjarjes, askush nuk e di kush janë dhe ku janë fshehur, duke ngelur një ngjarje akoma e pazbardhur. Pista kryesore e hetimeve është përplasja e bandave për trafik droge në Spanjë.
Vritet Everest Çaka në Elbasan

Pa u shuar jehona e plumbave në Vlorë një tjetër atentat mafioz tronditi vendin. Kësaj here në Elbasan. Me breshëri plumbash u ekzekutua po në automjetin e tij në lëvizje, Everest Çaka, i cili ishte në shoqërinë e së shoqes. Çaka ishte kthyer pak ditë më parë nga Gjermania, ndërsa mendohet se ekzekutimi i tij lidhet me përfshirjen në trafikun e narkotikëve. Atentatorët, pas vrasjes dogjën automjetin në Golem të Durrësit, ku dhe humbën gjurmët.

Vritet Endri Mustafa në Shkodër

Atentati tjetër tronditi Shkodrën. Kryeqendra e veriut do të rikthehej sërish në vëmendje, pak më shumë se një muaj pas vrasjes së Bardhok Pllanajt. 32-vjeçari Endri Mustafa ishte shpallur që në datën 14 maj i zhdukur nga familja. Pas denoncimit, policia nisi kërkimin. Trupi i pajetë i Mustafës u gjet tre ditë më vonë në zonën e Livadheve, i vrarë me gjashtë plumba, njëri prej të cilëve në gojë. Policia ka shpallur në kërkim për ngjarjen Ibrahim Licin, i cili dyshohet të jetë ekzekutori dhe bashkëpunëtor një 15-vjeçar, i cili është arrestuar.

Vritet Delon Troqe në Vlorë

Pas plumbit në gojë të Bledar Birçajt, armët kërcasin sërish në Vlorë. 38-vjeçari Delon Troqe ishte para biznesit të tij më familjarë kur e qëllua. Troqe, i kthyer vetëm pak kohë më parë nga Spanja nuk u mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë në spital. Atentatorët u larguan dhe dogjën automjetin në fshatin Sherishtë. Brenda makinës së djegur u gjetën dy armë të tipit kallashnikovë, të cilat dyshohet të jenë përdorur në krim.

Atentatet e muajit maj të ndodhur në vend kanë një të përbashkët. Tre prej personave të ekzekutuar ishin kthyer prej pak kohësh në Shqipëri, dy prej tyre nga Spanja dhe i treti nga Gjermania. Për të tre, hetimet janë përqendruar në larje hesapesh për trafik të lëndëve narkotike, prishje të pazareve dhe larje hesapesh.

Loading...