Ndërtimet pa leje në Himarë, arrestohen dy inspektorë të IMT, në kërkim dy të tjerë

HIMARA
Policia ka arrestuar dy inspektorë të IMT në Himarë dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë për ndërtimet pa leje ne atë Bashki.

35-vjeçari R.h, dhe 30-vjeçari E.Z, janë arrestuar teksa në kërkim janë M.N, dhe Dh.N, edhe këta inspektorë të IMT.

Mësohet se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhënë leje për ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në Himarë.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Himarë

Shpërdoruan detyrën duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve, vihen në pranga 2 shtetas, 2 të tjerë shpallen në kërkim.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një pune intensive hetimore disajavore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, bëri ndalimin e shtetasve:

•R. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë;

•E. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve:

M. N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Loading...