Kanë kaluar 10 vite nga vrasja e 4 protestuesve në Tiranë por autorët ende nuk janë dënuar. Familjarët e Aleks Nikës janë drejtuar Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ku kanë paditur shtetin shqiptar se nuk ka kryer hetime efektive.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nisur shqyrtimin e padisë së ngritur nga familjarët e të ndjerit Aleks Nika, i cili ka humbur jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në protestën e 21 janarit 2011. Tashmë drejt institucioneve të Shqipërisë është dërguar dhe dosja me kërkesat që ka Strasburgu për procesin e nisur nga prokuroria dhe drejtësia në vendin tonë.
Familjarët akuzojnë Shqipërinë për një mungesë hetimi efektiv për zbardhjen e ngjarjes dhe për mohimin e aksesit të familjarëve në fazën hetimore të procesit. Çështja në lidhje me vrasjen e Nikës ështe ende duke u hetuar, pasi policia dhe prokuroria nuk kanë mundur të përcaktojnë se cila nga armët e Gardës që ka qëlluar në 21 janar, ka shkaktuar vdekjen e tij.
GJEND i ka kërkuar informacion shtetit shqiptar se ku janë me hetimet dhe për çdo procedure të ndjekur, në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Gjithashtu shtetit shqiptar i është kërkuar informacion nëse familjarët e të ndjerit kanë patur akses në në fazën hetimore te procesit, dhe nëse kanë kërkuar të përfshihen në proces.
Nisur nga kërkesa e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, avokatja e shtetit Enkelejda Muçaj, i është drejtuar me shkresë për informacion Sekretarit te Përgjitshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, dhe drejtueses së Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj.
Në shkresën që Rtv Ora disponon, Avokatura i kërkon institucioneve të mësipërme ti përcjellin çdo informacion të kërkuar, çdo akt dhe provë të administruar në funksion të procesit. I riu nga Lezha, që u plagos rëndë më 21 janar rreth orës 14:45, gjeti vdekjen dy javë më pas në një spital në Turqi, ku u dërgua për kurim.
Atje mjekët nxorën plumbin nga trupi dhe predha iu dorëzua aurtoriteteve shqiptare per efekt ekspertimi. Verifikimi i Policisë Shkencore do të bënte një krahasim të plumbit me 75 copë automatikë dhe rreth 60 armë pistoleta, të gjitha 9 mm, të sekuestruara te Garda e Republikës pas ngjarjeve të 21 janarit por dëmtimi i saj e bëri të pamundur identifikimin.
Predha ishte dëmtuar në vjaska, elementi i vetëm dallues që shërben për ekspertimin. Bazuar në vjaskat (gjurmët) e lëna në predhë nga pjesa e brendshme e tytës së armës në momentin e qitjes, bëhet edhe identifikimi i automatikut apo pistoletës që ka kryer qitjen. Në lidhje me dëmtimet e predhës hetuesit kanë dy versione, por që asnjëri prej tyre nuk është konfirmuar ende.
Varianti i parë është një rikoshetë e plumbit në ambient, para se të godiste viktimën dhe versioni i dytë është dëmtimi i plumbit në kockat e 36-vjeçarit nga Lezha, pasi nga ekzaminimet del se predha i kishte prekur atij një pjesë të kafkës së kokës. Për këte arsye hetimi per të është pezulluar ndërsa është rihapur ne Prokurinë e Tiranës pas një kërkese të policisë në 10 vjetorin e ngjarjes./Oraneës