Shërbimi sekret grek ka hartuar një dokument me mbi 100 faqe që brenda tij ka emrat e 500 kriminelëve që terrorizojnë vendin fqinj me vrasje, grabitje, dhunë, kontrabandë dhe pastrim parash.
Fokusi i kriminelëve janë mes të tjerash Patra, Agrinio, Zakynthos, Kalamata, Mykono dhe shumë qytete e ishull të tjerë.
Por si janë organizuar këto grupet kriminale?
Bazuar te informacionet që kanë dalë nga dokumenti i shërbimit sekret, gazeta “Kathimerini” shkruan se struktura e organizatave kriminale është hierarkike dhe është e ngjashme me mafien siciliane. Grupet janë me shumë anëtarë, ata kanë një udhëheqës, zëvendës dhe anëtarë me role specifike.
“Në të gjitha grupet udhëheqësit janë grekë, ndërsa anëtarët përfshijnë gjithashtu shqiptarë, rumunë si dhe nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik” thuhet në artikull.
“Në raport renditen emrat e 500 kriminelëve cilët megjithë arrestimet e herëpashershme dhe dënimet me burg, vazhdojnë të veprojnë pa pengesa. Disa prej tyre janë vrarë për larje hesapesh” vijon më tej shkrimi.
Por ku shkojnë paratë nga aktiviteti kriminal?
Po sipas shkrimit të gazetës greke grupet kriminale i pastrojnë paratë në blerjen dhe investimin te karburantet, furrat e bukës, dyqanet e pijeve alkoolike, krijimin e ndërmarrjeve të ndërtimit, blerjen e hoteleve, ekipeve të futbollit dhe madje edhe investime në parqe fotovoltaike.