6 gjyqtarë japin dorëheqjen nga frika e përballjes me Vetingun, shkon në 65 numri i magjistratëve të vetëlarguar

Veprimi i ligjit të Vetingut vijon të prodhojë dorëheqje gjyqtarësh dhe prokurorësh në shkallën e parë dhe apel, duke thelluar vakancat në drejtësi. Gjatë katër muajve të fundit, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur mbarimin e statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes, edhe për 6 gjyqtarë të tjerë. Ata janë Ergys Gashi, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Pëllumb Vehbi, gjyqtar në Gjirokastër, Rasim Doda, Gjyqtar në Sarandë, Dhurata Balla, gjyqtare në Tiranë, Gramoz Levanaj, gjyqtar i Apelit në Tiranë si dhe Izet Salaj, gjyqtar i Apelit në Gjirokastër. Më parë kanë dhënë dorëheqjen edhe Fatbardh Çoniku, gjyqtar në Elbasan dhe Kostika Çobanaqi, Gjykata e Beratit.

Që të gjithë gjyqtarët e dorëhequr ishin në proces verifikimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi, shkalla e parë e Vetingut, kryesisht për ligjshmërinë e pasurive, por edhe për dy kriteret e tjera, pastërtinë e figurës dhe aftësisë profesionale. Madje, disa prej tyre kanë dhënë dorëheqjen sapo Komisioni i Vetingut i ka thirrur në seancë dëgjimore për t’i njohur me rezultatet e verifikimit.
Me gjashtë largimet e fundit, shkon në 65 numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë dhënë dorëheqjen për t’i shpëtuar përballjes me procesin Vetingut. Në listën e të dorëhequrve nuk mungojnë as emra të njohur të drejtësisë si; Arjana Fullani, Mirela Fana, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Bensik Imeraj, Adriatik Llalla, Petrit Fusha, Gjin Gjoni, Alaudin Malaj, Agim Bendo, Joana Qeleshi, Ema Gashi, Bilbil Mete, Petraq Dhimitri etj.

Nga të dorëhequrit janë dënuar ish-kryeprokurori Adriatik Llalla me dy vite burg për fshehje pasurie, ku i është sekuestruar edhe një pjesë e pasurisë si dhe Petraq Dhimitri i dënuar për korrupsion. Nga ana tjetër, Gjykata Speciale, me kërkesë të SPAK, ka vendosur të sekuestrojë pasurinë e ish gjyqtarëve të nivelit të lartë, Bashkim Dedja, Shkëlzen Selimi dhe Fatos Lulo. Ndërkaq, nën hetim nga SPAK për pasuri të dyshimta janë edhe ish anëtarët e Gjykatës së Lartë Tom Ndreca, Shkëlzen Selimi, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj dhe Artan Zeneli.

Loading...