Familja palestineze festoi ditëlindjen e djalit të tyre 13-vjeçar mbi rrënojat e shtëpisë e cila u shemb nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës. Familja Sabbih vendosi tortën mbi tavolinën e improvizuar duke vendosur njëri mbi tjetrin blloqet e nxjerra nga rrënojat. Ajo krijoi një pamje të ngrohtë dhe shumëngjyrësh në mesin e grumbujve të gurëve me tullumbacet dhe dekorimet zbukuruese për ditëlindjen.
Po ashtu familja nuk harroi të ftojë në festë edhe shokët e djalit të tyre Mahmud të cilin dëshirojnë ta mësojnë që të jetë i lumtur dhe të qëndrojë i palëkundur në çdo situatë.
“Festuam ditëlindjen e djalit tim Mahmud pavarësisht të gjitha plagëve dhe këtij rrënimi që Izraeli ka shkaktuar. Izraeli na shembi shtëpinë në ditën e Bajramit, na goditi gëzimin tonë. Por tani sot këtu po festojmë ditëlindje”, tha për AA Raid Sabbih, babai i djalit.
Sabbih, theksoi se bajramet dhe festimet do të vazhdojnë pavarësisht trishtimit nga shembja e shtëpisë së tyre. Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës filluan më 10 maj dhe përfunduan më 21 maj në orën 02:00 me orën lokale, pas armëpushimit të arritur me Hamas-in. Në sulmet që Izraeli ka kryer në Gaza kanë humbur jetën 254 persona, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra./AA/