Rreth 60 vjedhje dhe grabitje në Itali, policia arreston 9 shqiptarë pjesë e një bande

Policia italiane të mërkurën në mëngjes ka arrestuar nëntë shtetas shqiptarë dhe një grua me origjinë egjiptiane, pjesë e një bande, e cila akuzohet për të paktën 60 vjedhje dhe dy grabitje në Italinë veriore.

Mësohet se hetimi ndaj tyre nisi pas një tentative për të grabitur një person mbrëmjen e 7 nëntorit të 2019 në Gignese, ku shqiptarët kishin përdorur një makinë tip Alfa Romeo Stelvio.

Sipas policisë, pasi u gjurmua targa e automjetit të përdorur nga shqiptarët, ata arritën të dokumentonin praninë e makinës, si para dhe pas kësaj ngjarje, në disa zona të tjera.

Prania e këtij automjeti në këto vende përkonte me disa vjedhje të raportuara po në të njëjtat vende.
Pas gjurmimit dhe ndjekjes së bandës shqiptare, ata u detyruan të braktisnin automjetin e tyre në një zonë të pyllëzuar, ku u larguan në këmbë për të humbur gjurmët. Mirëpo, pas kontrollit të makinës së përdorur në dhjetra vjedhje, policia arriti të zbulojë disa të dhëna të rëndësishme, ku i lehtësonte ata të vijonin kërkimin për identifikimin e autorëve të këtyre vjedhjeve.

Mësohet se u identifikuan dy grupe grabitësish, të përbërë nga 6 dhe 4 anëtarë, përveç një gruaje që ishte me origjinë egjiptiane, të gjithë të tjerët ishin shqiptarë.

Hetimet zbuluan se banda shqiptare ka kryer 62 vjedhje banesash dhe 2 grabitje. Ata përdornin makina të vjedhura me fuqi të madhe, duke përdorur rrugët dytësore për të qarkulluar në disa zonë të Italisë veriore, ku dhe kryenin vjedhjet.

Pas kontrollit në banesat ku jetonin, policia u gjeti dhe u sekuestroi veshje, bizhuteri dhe ora të markave të shtrenjta. Një pushkë automatike (snajper) me dy karikatorë dhe 34 fishekë, një pistoletë gjysmë automatike me dy karikatorë dhe 15 fishekë.

Loading...