Shtegu i Pelës – Nga Riza Çato

Shtegu i Pelës – Nga Riza Çato

Ky shteg quhet : ” Shtegu i Pelës”,
Përmbi Vjosë krahët mban hapur.
Ja ndryshon drejtimin erës,
Shkëmbi, si një burrë i plakur.

Dhe me sy të lodh maloria,
Djersët çurkë mbi pllakë të gurit.
Si me dorë të ikën lodhia,
Aty i ka hije burrit.

Aty guri si pasqyrë,
Krihen vajzat lozonjare.
Dielli thyhet në fytyrë,
Buzëqeshjet ndezin zjarre.

Tani quhet : “Shtegu i shkretë”
Si vetë zona e braktisur.
Vetëm zogjtë i japin jetë,
Edhe retë mëndje lëvizur.

P.S. Shtegu i Pelës emërtim vendi në vendlindje(Toponim)

Loading...