Harxhi: Nëse Basha nuk njeh zgjedhjet, t’i prijë një proteste në stilin rumun

Edith Harxhi ka vijuar takimet me demokratët në prag të zgjedhjeve të 13 qershorit për kryetarin e Partisë Demokratike. Këtë të diel, Harxhi u ndal në Pogradec nga ku u shpreh se me Bashën në krye Partia Demokratike ka njohur vetëm humbje.

Ajo theksoi se synon bashkimin e të gjitha vlerave dhe kontributet e të gjitha kohërave. “Ky bashkim duhet të ndodhë mbi idealet e 90-ës, ku në plan të parë duhet të kemi antikomunizmin, pronarët e ligjshëm, që tani fatkeqësisht janë kthyer në ish-pronarë. Duhet të kemi në plan të parë shtresën e mesme. Natyrisht, ne duhet të bëjmë edhe një falje publike për gjithçka që ne nuk kemi bërë në 30 vite për viktimat e komunizmit dhe pronarët e ligjshëm dhe duhet të hapemi si parti ndaj rinisë jo me fjalë, por me vepra, kjo është rini e inteligjencës artificiale, prandaj ne duhet të gjejmë mënyrën se si të afrojmë rininë, e cila po ikën përditë. Gjithçka do të ndodhë mbi idealet e 90-ës dhe kjo është e mundshme. Çdo ditë kam mesazhe nga dhjetoristë që janë të shpërndarë nëpër botë antikomunistë që janë larguar, të cilët më mbështetin dhe janë të gatshëm ti bashkohen thirrjes time”.
Teksa foli për Bashën dhe zgjedhjet e 25 prillit, ajo u shpreh se nëse kreu aktual i PD nuk i njeh zgjedhjet nuk duhet të hyjë në parlament. “Basha, vërtetë që e quan procesin të manipuluar, ashtu e quaj edhe unë, por unë quaj procesin parazgjedhor të manipuluar ndaj zgjedhjeve, pasi zgjedhjet në vetvete ishin ditë normale zgjedhjesh pasi nuk ka pasur asnjë ankimim nga komisionerët e PD kur janë mbushur procesverbalet në KZAZ. Gjithçka doli ditën e dytë pas ditës së parë kur Basha u shpreh se votat janë në kuti, ditën e dytë tha se nuk njihte zgjedhjet. Faktikisht, Basha thotë ende sot se nuk i njohim zgjedhjet, por se do të hyjë në parlament. Atëherë, unë i bëj thirrje se nëse nuk do i njohim zgjedhjet, Basha nuk duhet të hyjë në parlament, por duhet t’i prijë një proteste paqësore të stilit rumun, me një rezistencë paqësore për të rrëzuar Edi Ramën”.

Loading...