Kërkesat e studentëve: Ahmetaj: Buxheti 2019 ka hapësira për plotësimin e tyre

Komisioni i përhershëm i Kuvendit, për Ekonominë dhe Finanacën, shqyrtoi në mbledhjen e së martës, dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10997, datë 13.12.2018 Për kthimin e ligjit nr. 99/2018 “Për Buxhetin e vitit 2019”.

I pranishëm ministri i Financës dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se “Buxheti i vitit 2019, i ka hapësirat për të plotësuar të 8 kërkesat e studentëve”.

“Sot studentët kanë aleatë qeverinë. Dialogu mes studentëve dhe qeverisë do të qartësojë detajet për shpalljen e një pakti kombëtar në këtë drejtim”, – tha Ahmetaj.

Kreu i Financave theksoi se, Qeveria ka një ofertë për subvencionim e tarifave të studentëve deri në përjashtimin e tyre. Studentët e ekselencës me mesatare nga 9 deri në 10, tha ai, do t’ju subvencionohet tarifa në masën 100% nga shteti.

Gjithashtu edhe 6300 studentë të familjeve në nevojë (me ndihmë ekonomike) përjashtohen nga pagesa e tarifës, duke u trajtuar sikurse studentët e ekselencës, si dhe do t’ju jepet një bursë prej 10 mijë lekësh në muaj.

I pyetur nga kryetari i Komisionit Erion Braçe, se cilat burime do të përdoren për plotësimin e kërkesave të studentëve, ministri Ahmetaj shpjegoi se, fondi që shkon për mbështetjen tarifore, do të merret nga granti që qeveria adreson për Universitetet, me vlerë 7.4 miliardë lekë. Madje, vijoi ai, nga ky grant kemi mundësinë të plotësojmë në dinamikë të gjithë atë subvencionim që do të realizojmë në dialog me studentët.

“Pra e kemi bërë publike ofertën e qeverinë në referencë të kërkesave të studentëve”, – tha Ahmetaj.

Gjithashtu vijoi ministri, ka një reduktim, përgjysmim, të tarifave edhe për konviktet universitare deri në rehabitimin e plotë të tyre. Investimi që po kryhet për herë të në rehabilitimin e konvikteve studentore me vlerë mbi 18 milionë euro është ndërhyrja e parë themelore që po realizon kjo qeveri, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama, tha Ahmetaj po negocion me KfW gjermane për një hua tjetër që synon të mbështesë projektin rrënjësor të rehabilitimit të plotë të qendrave studentore në të gjithë vendin.

Lidhur me dekretin e Presidentit Ilir Meta, ministri u shpreh se ky dekret nuk ka asnjë detaj për arsimin. “Meta të ndërhyjë për dialog me studentët, kjo është zgjidhja”, – u shpreh ai.ATSH

Loading...