Skandali në Sarandë, arrestohet efektivi i ‘Shqiponjave’, shpërndante lëndë narkotike në mënyrë sistematike

Ka rënë në pranga një polic i “Shqiponjave” në Sarandë. Mësohet se 38-vjeçari, Lavdosh Metaj, është arrestuar pasi akzuohet për shpërndarje të lëndëve narkotike në vende të mbipopulluara.

“Sarandë – Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ( SHÇBA) arrestoi në flagrancë punonjësin e policisë L.M., 38 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, forcat “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë Sarandë. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Arrestimi u krye pas një hetimi disa mujor në aplikim të metodave të posaçme hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, ku u grumbulluan fakte që krijuan dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova se punonjësi i policisë L.M. kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambjente të populluara argëtimi me muzikë në Sarandë.

Bazuar në këto fakte të dokumentuara në rrugë proceduriale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë lejoi kontrollin personal dhe të banesës së punonjësit të policisë L.M.

Në ekzekutim të vendimit të Gjykatës, gjatë kontrollit personal të kryer në kushtet e kapjes në flagrancë, punonjësit të Policisë L. M. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lënda e dyshuar narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së punonjësit të policisë u gjet dhe u sekuestrua edhe një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza. Këtë veprimtari të kundraligjshme, i arrestuari e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet e mëtejshme për të dokumentuar veprimtarinë e bashkëpunëtorëve të tjerë mes rradhëve të strukturave policore, apo jashtë saj”, njofton SHÇBA.

Loading...