Një veprim provokues ka ndodhur në kullën e vrojtimit në Koshare ku një flamur serb është vendosur në mesin e shumë flamujve të shqyer kuqezi.
Kjo është një foto që është bërë vetëm disa ditë pas 22 vjetorit të përfundimit të njërës prej betejave më të lavdishme të UÇK-së në këtë vend, paraqet një gjendje të turpshme të kullës së vrojtimit, në ballë të së cilës është vendosur flamuri serb.
Lajmi është publikuar edhe në mediat serbe dhe në një faqe në Instagram nga serbët, ku duket flamuri serb që valëvitet në rrënojat e kullës së vrojtimit.
“Flamuri i vërtetë në kullën e vrojtimit”, shkruhet ndër tjerash në përshkrimin poshtë fotografisë.
Beteja e Koshares ishte njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më të suksesshme e luftës së Kosovës. U zhvillua në prill dhe qershor të vitit 1999 në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ushtrisë serbe. Në këtë betejë ushtria serbe e kishte humbur kontrollin e kufirit Kosovë – Shqipëri, gjë që shënonte një nga fitoret më të mëdha për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i detyruar ushtarët serbë të largoheshin nga kufiri dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.
Beteja e Koshares zgjati nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, kur edhe u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund luftës.
Në tetor të vitit të kaluar, një incident i ngjashëm kishte ndodhur te kulla e vrojtimit në Koshare. Një prift serb, e kishte hequr flamurin kuqezi nga kulla. Policia e Kosovës ishte marrë më pas me rastin, ndërsa për ngjarjen kishin reaguar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit.
Pas kësaj, një ish-pjesëtar i UÇK-së kishte shkuar dhe e kishte rivendosur flamurin kombëtar në majë të kullës.