Deputeti i zgjedhur i PS në qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri ka përcjellë një apel për ndihmë në rrjetin e tij social. Është fjala për Sara Alushajn, një prej vajzave të skuadrës socialistëve të Vlorës e cila është shtruar me urgjencë si pasojë e një hemorragjie të shkaktuar nga një sëmundje e rëndë.
Socialisti thekson se duhet siguruar shuma e duhur që Sara të dërgohet për kurim jashtë vendit në një prej spitaleve të specializuara për sëmundjet e gjakut.
“Të gjithë bashkë të ndihmojmë Sarën! Një lajm jo i mirë por njëkohësisht një mundësi për secilin prej nesh për të qenë sa më solidarë. Sara Alushaj, një prej vajzave më energjike në skuadrën tonë elektorale të Qarkut të Vlorës, po kalon një moment të vështirë.
Sara është shtruar me urgjencë në spital si pasojë e një hemorragjie të brendshme, shkaktuar nga një sëmundje e rrallë dhe e rëndë. Të dashur miq!
Gjej rastin tu nxis që kushdo që ka mundësi, të bashkohet në thirrjen e familjarëve dhe miqve të saj, për të kontribuar më sa të mundet, për të siguruar kurimin e Sarës jashtë vendit, në një prej spitaleve të specializuara për sëmundjet e gjakut. Besimplotë se do të dimë të japim maksimumin në një nismë solidariteti për jetën e Sarës!”, shkruan Gjiknuri.