Në telefonin e 20-vjeçares është gjetur një foto që ka habitur policinë. Mësohet se fotoja është kapur me “Screenshot” nga aplikacioni i kamerave të sigurisë në orën 00:00. Nuk sqarohet ende se pse Caroline regjistroi një foto të tillë. Sipas mediave greke, rreth orës 01:00, autori ka hequr kartën e regjistrimit nga kamerat në mënyrë që të mosregjistronin më.
Sipas raportit mjeko-ligjor, vrasja ndodhi mes orës 04:05 deri në 04:11. Gjithashtu janë publikuar dhe lëvizjet që ka bërë Babis pas vrasjes duke iu referuar të dhënave të nxjerra nga celulari i tij.
Në orën 04:24 celulari i autorit hiqet nga karikimi. 04:36 autori hap celularin dhe futet në Gmail. Pas dy minutash e mbyll celularin. Në orën 05:22 regjistrohet lëvizje në një distancë prej 21 metrash, ndërsa në orën 05:41 regjistrohet lëvizje tjetër me distancë 66 metrash. Këto janë pikërisht provat shkencore që hodhën poshtë versionin e grabitjes të dhënë nga autori i krimit. Përpara se të pranonte autorësinë, ai deklaroi se grabitësit e lidhën me litar, çka bie në kundërshtim me lëvizjet që ka regjistruar celulari.
Në dëshminë e parë të bërë nga Babis Anagnostopulos, thuhet se ai kishte fshehur 9500 euro brenda një kutie të lojës “Monopoly”, duke i dhënë peshë versionit të grabitjes së shtëpisë. Mediat greke kanë publikuar foton e kutisë në momentin kur policia mbërriti në shtëpi. Ato vijojnë se nga pamja, kutia duket e paprekur nga dikush që do kontrollonte për para./panorama.al