Nga Mariglen Mertiri
Perimet janë produktet më të konsumuara, por edhe më të rekomanduarat për një shëndet të mirë. Por, nga ana tjetër, konsumatorët shqiptarë blejnë dhe konsumojnë çdo ditë domate dhe kastravecë me pesticide deri në 6 herë mbi normat e lejuara, duke rrezikuar rëndë shëndetin e tyre.
Advertisements
Ndërsa luleshtrudhet dhe shalqini kanë prezencë të lartë të pesticideve për njësi produkti, duke shtuar përqëndrimin e pesticideve dhe ekspozuar ato në një rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Ndërkaq, Institucionet nuk marrin masa, jo vetëm të parandalojnë shitjen e produkteve të kontaminuara, por edhe të ndëshkojnë përgjegjësit.
Ato shiten si produkte normale në tregje anormale, por edhe tregje të licencuara me blerës të pandërgjëgjësuar dhe të nxitur nga çmimi i favorshëm. Porl edhe me blerës që për shumë arsye, nuk ka si ta dinë se brenda këtyre perimeve ka norma të larta pesticidesh, por edhe në disa kur ndodhen brenda limiteve, prezenca e 5 apo 6 pestidiceve të ndryshme përbën rrezik serioz për shëndetin.
Fermerët shtojnë pesticidet për të nxjerr sa më shpejt nga sera në treg produktin, për të rritur fitimit, pasi nëse zbatojnë rekomandimet e agronomeve për afatet e përdorimit të pesticideve (karenca), ndoshta nuk do të marrin fitimin e kërkuar dhe do t’i shesin prodhimet e tyre madje edhe nën kosto. Shtrëngimi i masava ligjore në Kodin Penal i bërë dy vite më parë për “Sigurinë Ushqimore” nuk ka sjellë asnjë ndërgjegjësim, ndryshim të realitetit dhe masa ndëshkuese për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Për të vërtetuar abuzimet dhe riskun e lartë që përballen qytetarët përballë këtyre helmeve të paabsorbuara nga bimët, analiza e mbetjeve të pesticideve në perime është shumë e rëndësishme, pas këto produkte konsumohen në mënyrë të vijueshme, në sasira të konsiderueshme dhe janë pjesë e dietës ushqimore për të gjithë konsumatorët.
Për më tepër, konsumi i tyre të “freskta” mbart nje rrezik të shtuar të mbetjeve të pesticideve, pasi koha që ndan perdorimin e një pesticidi në serë nga koha e konsumit shpesh nuk është e gjatë dhe është e pamjaftueshme për degradimin e tyre.
Ndaj, në rastin e perimeve që konsumohen të freskëta rekomandohet përdorimi i pesticideve lehtësisht të degradueshme, ose me një karencë të shkurtër për të shmangur mbetjet e tyre në produkt. Porl sido që të jetë afti i karencës, sipas llojit të persicidit apo insekticidit, fermerët duhet ta zbatojnë atë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, frutat dhe perimet janë kryesisht grupi i ushqimeve më të konsumuara në botë, me një mesatare rreth 30%. Ky konsum, vjen më tepër për arsyen se ky grup ushqimesh konsumohet i pagatuar ose gjysmë i gatuar.
Nutricionistja Hyrida Basha, domaten dhe kastravecin i renditë si pjesë me rëndësi të dietës tonë ushqimore për shkak të përbërësve ushqimore që mbartin.
“Kastraveci dhe domatja na furnizojnë me sasi të larta të ujit, antioksidantëve, mineraleve dhe fibrave. Domatja na ofron një mbrojtje edhe prej rrezatimit diellor me gati 20%. Megjithatë, ky është grupi i ushqimeve me të cilat abuzohet më shumë. Nëpërmjet konsumit të këtyre ushqimeve, ne marrim edhe këto pesticide që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me sëmundje edhe gati vdekjeprurëse.
Ndikim më të madh, këto kanë në zhvillimin e kancerit, defektet në lindje, çrregullime neurologjike, çrregullime endokrine dhe efekte ne riprodhim”, deklaroi nutricionistja Hyrida Basha
Qendra “Alert” hulumtoi mbi tregtimin e produkteve të kërkuara nga qytetarët në këtë sezon, siç janë domatet, kastravecët, specat, luleshtrydhet dhe shalqiu.
Në mënyrë rastësore, u blenë 5 kultura të ndryshme bujqësore në tregun Agro-Ushqimor të Tiranës, vend nga ku tregtarët apo fermerët e shumë rajoneve furnizojnë masivisht tregun e kryeqyetit me pakicë, por edhe nga ku shpërndahen në pjesën më të madhe te gjysmës së Shqipërisë.
Në bashkëpunim me laboratorin e akredituar “Noval”, analizuam mbetjet e pesticideve ne produktet që tregëtohen në raport me kuadrin ligjor në vend, por i krahasuam edhe me atë të Bashkimit Europian.