Talenti shqiptar/ Marco Alia, një tjetër gardian kuqezi gati për portën shqiptare

Duket se porta shqiptare për vitet në vijim do të jetë e sigurtë, duke pasur parasysh elementët e rinj që janë pjesë e ekipeve kombëtare.

Një ndër to është edhe talenti shqiptar i lindur në Itali, Marco Alia, i cili luan në radhët e ekipit të Lazios.

Gardiani kuqezi është miqësuar me futbollin që në një moshë fare të vogël, ndërsa prej kohësh është edhe pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave. Të ardhmen e Shqipërisë në arenën e futbollit ndërkombëtar e sheh të ndritur, ndërsa kujton në këtë intervistë të dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org edhe ftesën e ardhur nga Kombëtarja dhe debutimin me ngjyrat kuqezi. Më poshtë mund të lexoni rrëfimin e Aliajt, i cili flet për sakrificat që ka bërë për futbollit, ecurinë me klubin dhe ekipet Kombëtare, momentet më të lumtura gjatë karrierës së tij, synimet për të ardhmen si dhe modelin që ndjek në futboll.

Ai shprehet se dëshira për futboll i lindi falë babait të tij.

“Falë babait tim, unë kam nisur të luaj futboll. Ka qenë ai faktori kryesor që unë jam pjesë e fushës së gjelbërt sot, pasi që kur isha 1-2 vjeç, ai më merrte nga dora dhe më dërgonte në fusha futbolli, ku më stërviste. Unë nuk e mbaj mend, pasi kam qenë fare i vogël, por shikoj fotot dhe shpeshherë dëgjoj tim atë që flet se si unë e gjuaja topin e futbollit, në atë moshë. Ai më ka ndjekur gjithmonë dhe është pjesë e këtij rrugëtimi që unë po ndjek sot. Pa dyshim, edhe mami im ka ndikuar. Besimi që më është dhënë nga ata, ka qenë arsyeja kryesore pse unë jam ky që jam sot. I falënderoj përmes kësaj interviste”, tha Alia.

“Jam prej kohësh pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave. Kemi bërë mirë deri tani, qoftë me ekipet zinxhir, por shikoj që edhe ekipi A ka bërë punë shumë të mirë dhe uroj të bëhem sa më shpejt pjesë e tyre. Edhe me klubin ndihem mirë, stërvitem me djemtë, jam me fat që jam pjesë e Lazios. Grupi, edhe te Kombëtarja por edhe te Lazio, është shumë i mirë. Edhe trajnerët dhe stafet teknike sillen shumë mirë. Janë shtysë e madhe që të vijosh drejt kësaj rruge”, tregon ai.

I pyetur sesi e përjetoi momentin kur mori ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi, ai thekson se, “e dëshiroja prej kohësh këtë ftesë, pasi gjithmonë kam ëndërruar të vishja fanellën kuqezi dhe të përfaqësoja këto ngjyra. Është një ëndërr e realizuar për mua veçanërisht, por edhe për familjen time që gjithmonë ka qenë dhe është me mua në këtë rrugëtim. Debutimi ka qenë vërtetë special, emocionohem gjithmonë kur e kujtoj”.

I pyetur se cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën e tij deri tani, Alia shprehet se, “me Kombëtaren do të konsideroja momentin më të lumtur fitoren e fundit në transfertën e Andorrës, ku luajtëm ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 dhe uroj të vazhdojmë të luajmë me këtë ritëm. Ndërsa me klubin, do të veçoja kalimin te tetëshja në UEFA Champions League”.

Sa i përket sakrificës më të madhe që ka bërë për futbollin, ai përmend se, “për moshën që kam, konsideroj si sakrificë shumë të madhe kohën që i kushtoj futbollit dhe jo familjes e miqve të mi. Udhëtoj çdo ditë për të qenë i pranishëm në fushën e stërvitjes, vetëm për të luajtur futboll. Për disa mund të duket çmenduri, por për mua është kënaqësi”.

Ndër synimet për të ardhmen, ai thekson se, “synimi im është që të arrij sa më lart në futboll normalisht, si edhe të debutoj sa më shpejt me Kombëtaren A”.

Sa i përket idhullit të tij, ai shprehet se, “Idhull nuk mund të them, por ndjek shumë portierin gjerman, Manuel Neuer”. //atsh

Loading...