Nga Arben Abazaj
Folklori ndryshe nga artet që krijohen për nevoja të tregut, krijohet për nevoja të popullit, prandaj folklori është i vetmi taban nga ku mund të krijosh një individualitet artistik të mirëformuar! Tregu nuk është për këtë, tregu është mejdani i mediokritetit edhe arti që i përgjigjet nevojave të tij po ashtu!
Është polifonia labe ajo që i zbulon fjalës së folur shqipe hollësitë dhe thellësitë e saj!
Magji, magji e ndjenjës, edhe kur zërat janë të shtruar, të qetë, edhe kur tingujt si arabeska, tufani i ndjenjës i përplas portave të shpirtit!
Muzikën, artin, nuk e bën teknologjia, e bën shpirti! E ku ka ndjesi emocionale më të madhe se tingulli që del prej gezimit apo hidhërimit të një shpirti.
Kemi një trashëgimi kulturore aq të veçantë e të papërsëritshme. Krijuam art me fjalën, duke i dhënë asaj jo vetëm bukurinë e tingullit, por edhe forcën e mendimit.
Art dhe jetë njëkohësisht, një shkencë për t’u studiuar është polifonia, mekanizmat që përdor ajo. Unë nuk di zhanër tjetër të artit që të thurë kaq bukur e me kaq vërtetësi letërsinë (poezinë), me tingullin, tingull i krijuar nga natyra, zëri njerëzor.
Duke dashur të dukemi modernë, shkatërrojmë thelbin tonë. Sa herë kthejmë sytë nga vetja, aq më e madhe na paraqitet ajo, (trashëgimia), aq më e bukur dhe tërheqëse.
Dhjetëra herë, qindra herë, mijëra here, zmadhohen brenda nesh bukuritë e kombit tonë, pas çdo gërme të shkruar e pas çdo tingulli të kënduar.
Ta njohësh nuk është dhe aq e lehtë. Gjithsesi e duam edhe pse e njohim aq pak! Përfundimisht:
Polifonia është emocioni më i thellë i shpirtit! Është finesa më ndjellëse e zemrës! Është kthjelltësia më e kristaltë e vargut! Është bashkimi më harmonik që Zoti i ka dhuruar tingujve muzikor! Nuk kërkon me patjetër të kesh shije të holla artistike ta ndjesh, mjafton të përqëndrohesh dhe sheh si çliron nga gjiri i saj fantazinë më të bukur e të vërtetë njerëzore!
E bukura e thellë shfaqet në përcjelljen e tingujve dhe zhvendosjen nga njëra lëvizje në tjetrën me aq ëmbëlsi dhe rreptësi epike!
Labërishte është natyra vetë e mishëruar në qeniet njerëzore!