Edhe mbrëmjen e sotme kanë vijuar protestat e operatorëve të biznesit në qytetin e Vlorës, të cilët janë ngritur që ditën e djeshme në protestë kundër vendimeve të qeverisë, përsa i përket shtyrjes së orarit të muzikës dhe orës policore për këto lloj biznesesh, në këto muaj të sezonit turistik.
Gjatë ditës së sotme, pronarët e bareve dhe restoranteve në zonën e ‘Lungomares’ kanë ndezur qirinj para bizneseve të tyre dhe kanë vendosur parulla.
Sipas bizneseve të Vlorës këto forma arbitrare që po ndodhin nga policia për mbylljen me dhunë të aktivitetit janë me qëllim largimin e turistëve nga Vlora drejt rezorteve në jug të vendit.
Ata theksojnë se e gjithë kjo bëhet në mënyrë selektive me qëllim favorizimin e bizneseve të mëdhaja dhe rezorteve me pronarë afër qeverisë.
Kujtojmë se biznesi i Vlorës i është drejtuar me një letër zyrtare kryeministrit Rama dy ditë më parë, ku i kërkoi të drejtën për të ushtruar aktivitetin biznesit deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe lejimin e muzikës deri në orën 00:00.