Startojnë zyrtarisht Lojërat Olimpike të Tokios. Ceremonia e hapjes filloi në orën 13:00 dhe siç është kthyer në traditë, të parët që parakaluan ishte delegacioni grek.
Shqipëria në këtë kompeticion do të përfaqësohet nga 9 sportistë, të cilët janë të karikuar për t’u paraqitur sa më mirë, për të arritur rezultate pozitive dhe pse jo medalje.
204 shtete marrin pjesë në Olimpiadë, teksa numri i atletëve shkon në 11.238, të cilët do të garojnë në 33 sporte dhe 50 kategori të ndryshme.
I pari sportist kuqezi që do garojë është Matvei Petrov. 30-vjeçari rus përfaqëson Shqipërinë në Gjimnastikë, kategori ku u shpall kampion i Evropës dhjetorin e kaluar.
Petrov e ka garën e tij nesër në mëngjes (7:30 me orën tonë), ndërsa të dielën është radha e Manuela Delilajt në Qitje (08:30) dhe Indrit Çullhajt në Xhudo (04:00).
Sportistët e tjerë shqiptarë janë Kledi Kadiu (Not), Briken Calja (Peshëngritje), Nikol Merizaj (Not), Izmir Smajlaj (Atletikë), Erkand Qerimaj (Peshëngritje) dhe Luiza Gega (Atletikë).