Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se iniciativa e Minishengenit e filluar nga Rama, Vuçiç dhe Zaev është destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për RTV Dukagjini në Kosovë, Berisha u shpreh se aleanca trilaterale nuk i shërben paqes në Ballkan, por nxit fantazmat e vjetra dhe rivalitete të panevojshme.
Sipas Berishës, Rama po përdoret nga Aleksandër Vuçiç për të nxjerrë qeverinë e Kosovës dhe autoritetet si të vetmet me të cilat ai nuk mund të arrijë një marrëveshje, fakt që pritet ta përdore gjatë takimeve në Bruksel.
“Personalisht e gjykoj destabilizuese aleancën trilaterale të Vuçiçit me dy vasalët e tij, Edi Ramën dhe Zoran Zaev. Do ta thoja këtë edhe sikur Kosova të mos ishte një shtet i dominuar mbi 90% nga shqiptarët, por nga një kombësi tjetër. Kam bindjen e thellë se një rajon që sapo ka dalë nga konfliktet aleancat trilaterale nuk i shërbejnë stabilitet, hapësirës ekonomike, lirive të qytetarëve, por nxisin fantazmat e vjetra dhe rivalitete të panevojshme. Këtu thellohet bindja ime për shkak të Kosovës, sepse Rama po përdoret nga Vuçiç për ‘makeup’, për të nxjerrë qeverinë e Kosovës dhe autoritetet si të vetmet me të cilat ai nuk mund të merret vesh. Edi Rama me këto qëndrime, është bërë në vlerësimin tim një faktor që jo vetëm nuk kontribuon në stabilitet, por në të kundërtën e saj,”- u shpreh Berisha.
Gjatë intervistës, i pyetur nëse Rama po e tradhton Kosovën, Berisha nuk ngurroi që ta pohonte: Unë po them këtë, kjo iniciativë, e quajtur ‘Minishengen’ ka ekzistuar përpara përveçse me Serbinë dhe jam dakord të përfshihet Serbia, por nuk jam dakord që të përjashtohet Kosova pse përfshihet Serbia. Nuk jam dakord që kjo nismë të mos jetë një nismë strikte mes shteteve të barabarta. Nëse ne në një mënyrë apo tjetër pranojmë hegjemoninë e Serbisë ne bëjmë një gabim fatal. Rama duhet t’i thoshte Vuçiç se kjo nismë mund të ketë jetë vetëm mes shteteve të barabarta.