Një i armatosur vrau dy persona dhe plagosi tre të tjerë në një godinë të specializuar për kurset e jogës në Tallahassee, në Florida, njoftoi shefi i policisë lokale, duke sqaruar se vrasësi është gjetur gjithashtu i vdekur.
“Rreth orës 17:47, policia e Tallahassee mori një telefonatë për të shtëna në një qendër joge. Në momentin e mbërritjes në vendngjarje, policët gjetën disa viktima me plagë me armë zjarri’’, deklaroi Michael DeLeo, në një konferencë të shkurtër për shtyp.
Shërbimet e urgjencës transportuan pesë viktimat në spitalet më të afërta, dy prej të cilëve vdiqën nga plagët e marra në spital, bëhet e ditur se tre të plagosurit ishin në gjendje kritike për jetën.
‘’Agresori rezulton i vdekur, me shumë mundësi mund të ketë kryer vetëvrasje’’, sqaroi policia, duke shtuar se identiteti i tij nuk bëhet ende i ditur./ atsh