Tridhjetë vjet më parë, më 8 gusht të vitit 1991, anija Vlora mbërriti në brigjet e Barit me 20 mijë shqiptarë, që vinin nga ana tjetër e Adriatikut.
30-vjetorin e eksodit e ka përkujtuar edhe presidenti Ilir Meta. Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i shtetit shkruan se duhet punuar për një të ardhme më të mirë për shqiptarët sepse shpopullimi sipas tij mbetet ende drama më e madhe që po i ndodh vendit tonë.
“Si sot 30 vite më parë, më 8 gusht 1991, rreth 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë, në kërkim të lirisë dhe shpresës, duke i dëshmuar botës tragjedinë dhe mjerimin e popullit më të shtypur dhe të izoluar të kontinentit.
Anija ‘Vlora’, me të gjithë simbolikën, emocionet e forta dhe kujtimet e gjalla që risjell, na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht kur shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit”, shkruan zoti Meta.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, teksa përkujtoi këtë ditë,u shpreh se eksodi nëpërmjet anijes tregtare Vlora ishte një nga episodet më dramatike, pamjet e të cilit bënë xhiron e gjithë botës.
“Homazh! Sot 30 vite më parë, më 8 gusht 1991 mbërrinte në Bari anija tregtare Vlora, e nisur nga Durrësi, e cila mbante në bord rreth 20 mijë vëllezër dhe motra shqiptarë. Eksodi nëpërmjet anijes tregtare Vlora ishte një nga episodet më dramatike, pamjet e të cilit bënë xhiron e gjithë botës”, u shpreh Balla.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zgjedhur të publikojë mëngjesin e kësaj fundjave një foto të veçantë të 30 viteve më parë, e cila u bë ilustrimi unik i aspiratës së shqiptarëve për liri pas diktaturës komuniste.
“8 Gusht 1991 – 30 vjet anija Vlora Kjo foto e shkrepur nga barezi 16 vjeçar, Lorenzo Turi u bë ilustrimi unik i aspiratës së shqiptarëve për liri pas diktaturës komuniste, por dhe shembulli më i madh i mikpritjes në Bari e më pas gjithë Italinë! Le të mos harrojmë”, shkruan Veliaj.
Më 8 gusht 1991, qytetarë të mbledhur nga të 4 anët e vendit, të vuajtur dhe të varfër, thyen barrierat dhe frikën, duke tejmbushur anijen “Vlora”, e ankoruar në Portin e Durrësit.
Njerëzit qëndronin ku të mundnin, hipnin përmes litarëve, dhe kërkonin lirinë dhe “tokën e premtuar”, Italinë.
8 gushti i 1991 njihet ndryshe si eksodi i shqiptarëve, të cilët mbi një anije mallrash lundruan drejt Italisë.