ME ZU GOJA LESH ME KETA BURRA ME LESH
Në këtë vend njerëzia ushqehen vetëm me politikë. Hiqu ç’të duash, veç politikën jo. Hiqu bukën, pilafin, sushin, rrushin, qebapin apo tasqebapin, por politikën jo, pa të nuk e shtyjnë dot ditën. Një takëm politikarësh pastaj, që e kanë kuptuar mirë këtë, kujdesen t’u japin sa të munden nga ky ushqim që gatuhet lehtë po që s’të ngop barkun. Media, që s’ka ç’bën tjetër, edhe ajo i shkon pas fillit kësaj pune dhe ulet të shesë politikë edhe ku s’ka.
Tani që të gjithë i ka zënë behari dhe janë lëshuar plazheve me këmbët lesh-mbuluar nxjerrë që t’u nxihen ndënë diell, është edhe më me rrezik që mileti të mbetet pa ushqimin e përditshëm të politikës dhe kjo është meraku më i madh i burrave hijerëndë e lesh-nxjerrë të politikës. Tani që jemi të ngeshëm, s’ka lajme për t’i tjerrë. Ndaj gazetat janë në gjueti të dëshpëruar për lajme, qoftë edhe një fije të vetme lajmi, për ta tjerrë e trashur pastaj si ç’ja dinë zamenë.
Edhe unë isha nisur t’i nxjerr këmbët e t’i nxij në diell, po dje u detyrova t’i vesh sërish pantallonat e gjata e të dal në televizor, për t’i dhënë miletit të Vunoit e të Dhërmiut lajmin e mirë që më në fund përfundoi procesi i regjistrimit të pronave në fshatrat e tyre dhe mund të aplikojnë për të marë tapitë e tokës, të bahçeve, të shtëpive të vjetra të ndërtuara në 300 vjet, e të shtëpive të reja të ndërtuara në këta 30 vjet.
Eshtë një sfidë e jashtëzakonshme kjo punë, që askush – përfshirë edhe vetë hallexhinjtë – nuk e besonin dhe na shikonin si hajdutë deri ditën që marrin tapinë në dorë. Na shihnin si hajdutë, se kështu jua kanë bërë në të gjitha kohët, duke ju premtuar se do t’u japin tapitë dhe duke ju dhënë vetëm politikë. Ne bëmë tjetër punë, ju dhamë tapitë.
Mirëpo ky nuk është lajm që shet, se nuk ka politikë brenda. Kollaj ajo punë, ja gjejmë bidatin, politikën e fusim kollaj. Një gazetar më bën një pyetje koti për përgjimin e para 5 vjetëve; unë i kthej një përgjigje koti po për atë punë – se e kisha hallin te tapitë e sotme, jo tek çimkat e para 5 vjetëve – dhe gjithshka vajti në vend, fabrika e tjerrjes llafeve u vu në punë me rregjim të plotë.
Unë ndava tapitë në orën 11, thashë batutën për përgjimin në orën 12, mediat ja hodhën burrave lesh-nxjerrë e politikë-tjerrës në orën 13 dhe, që nga ai moment e dinë vetë ata zanatin. Topin e kapi opozita dhe filloi të tjerrë të njëjtën mesele pa Xhixhile. Gaz Bardhi nga plazhi i pare, bum bum bum më nj’anë.
Pushon Bardhi, fillojnë portalet e opozitës: bam bam bam nga ana tjetër. Mbi llafet e tyre kodra pas bregut, vazhdojne analizat të dy Yjet, Manjani dhe Dylgjeri nga plazhi i tretë dhe i katërt: bim bim bim. Pastaj Vasili karafili, përr përr përr, e s’mbaron filli i kësaj pune.
Ore do thoni ju, po pse i shtrembëroj fjalët e tyre – se ata nuk kanë thënë bam e bum e bim, por fjalë e fjali të tjera. Aha, nuk e ha atë tekë unë, se sikur një gjysmë fjale të kthej, a të them, a të shpjegoj unë, do jetë thjesht tjerrja e radhës për burrat lesh-jashtë që të vazhdojnë: Lame i përgjigjet opozitës. Pastaj prapë: opozita i përgjigjet përgjigjes së Lames për përgjigjen e opozitës.
Dhe unë i ziu që nuk hapja gojë e nuk përgjigjesha, se nuk doja të ikte vëmendja nga puna e Vunoit e Dhërmiut, që njerezia të kuptonin se si aplikohet, ku duhej të venin për të parë hartat, sa do zgjaste afishimi e kështu me rradhë. Po të lenë rehat burrat këmbëleshjashtë!
Dhe kështu që thoni ju, historia e tapive u harrua e vajti për dreq. Me Vunjotasit dhe Dhëmiasit, që kanë 300 vjet që i ruajnë shtëpitë me pushkë në faqe e me hunj në dorë se mos ua marrin, nuk u mor fare njeri.
As nuk doli si lajm, se nuk bën lajm që mund të tirret nga burrat këmbëlesh, që punës që i thonë punë nuk i kanë thënë ndonjëherë merabah, por që të tjerrin lesh buzë detit, janë ustallarë.
Se ja, më thoni ju, a ka ndonjë që do flinte i qetë, duke pritur që tapinë e shtëpisë t’ia bëjë apo Yll Dylgjeri, apo ndonjë naiv që të thotë me vete që “ah që nuk po vjen në pushtet ai Petrit Vasili që të na legalizojë shtëpinë”!
Ndaj, edhe ju burra këmbëlesh, kam shumë për t’ju thënë që ja fusni kot në ato që thoni, që s’kam thenë asgjë nga ato që thoni se thashë, por nuk ju them asnjë fjalë; se atë po prisni që të keni sebep për të folur prapë kur s’dini të bëni tjetër në jetë veç të tirrni leshin e të tjerëve, asnjë fjalë shpjegimi s’them!
Asnjë gjysmë fjale nuk flas ku të shpjegoj se çfarë kam thenë në të vërtetë (këtu e 5 vjet të shkuara), se si duhen kuptuar gjërat bashkë dhe jo të shkëputen gjysma fjalie, ore fare as gëk as mëk.
Ose jo, jua them, veç me një kusht: Pranoni sefte të thoni bravo kësaj qeverie që ja dha tapitë atij mileti, bravo atyre djemve që brodhën derë më derë në pikë të vapës për të bërë hartat e letrat, bravo edhe ti Lame që ishe në krye të kësaj pune.
Po e thatë këtë, jam gati të vazhdoj të tjerrim muhabetin e leshit të deklaratës së para 5 vjetëve, e tha, si e tha, pse e tha, e kush e tha, e kujt ja tha. Ndërkaq edhe unë do kem hequr sërisht pantallonat e gjata të punës dhe do jem i ngeshëm si ju me brekë buzë detit t’u dëgjoj tek tirrni lesh. ARTAN LAME