Një olimpiste polake e ka nxjerrë në shitje medaljen e saj të argjendtë, të fituar në “Tokyo 2020”, për të shpëtuar jetën e një fëmije që ka nevojë për një operacion të zemrës prej 250.000 dollarësh.
Maria Andrejczyk, 25 vjeçe, duhej të kapërcente kancerin e kockave për të ringjallur karrierën e saj në hedhjen e shtizës, pasi dështoi për 2 cm në marrjen e medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Ajo krijoi një skenë emocionale, ndërsa qëndroi në podium me medaljen e argjentë në qafë, fituar në Olimpiadën e Japonisë kësaj vere.
“Vlera e vërtetë e një medalje mbetet gjithmonë në zemër, – tha ajo për një TV polak, sipas “The Times”. – Një medalje është vetëm objekt, por mund të ketë një vlerë të madhe për të tjerët. Ky argjend mund të shpëtojë jetë, në vend që të mbledhë pluhur në një dollap. Kjo është arsyeja pse vendosa ta nxjerr në ankand për të ndihmuar fëmijët e sëmurë”.
Olympian Maria Andrejczyk to auction medal for pediatric surgery | Aws For WP
Një fëmijë polak i quajtur Miloszek ka nevojë për kirurgji në Amerikë. Në Facebook, sportistja në fjalë shkroi: “Miloszek ka një defekt serioz në zemër, ai ka nevojë për një operacion. Prindërit e tij të mrekullueshëm vendosën të kërkojnë ndihmë. Në këtë mënyrë, unë gjithashtu dua të ndihmoj. Po e bëj me zemër, po e nxjerr në ankand medaljen time olimpike prej argjendi”.
Kjo çoi në një “ceremoni” tjetër për Andrejczyk. Një zinxhir dyqanesh floriri e fitoi ankandin dhe i tha asaj se mund ta mbante medaljen. “Ne u prekëm nga gjesti i bukur dhe jashtëzakonisht fisnik i olimpistes sonë”, – tha një zëdhënës.
“The Times” raportoi se bashkatdhetari i saj, Piotr Malachowksi, e shiti medaljen e tij të argjendtë nga “Rio 2016” për të mbuluar një operacion të kancerit të syrit të një djali.
Boksieri i madh ukrainas, Wladimir Klitschko, siguroi 1 milion dollarë për bamirësitë e fëmijëve më 2012, duke shitur medaljen e tij të artë, të fituar në “Atlanta 1996”. Blerësi, një filantrop, ia ktheu Klitschko medaljen e tij.