Aktori Luftar Paja i ka dhuruar dhjetëra role skenës së teatrit, me shumë vlerësime dhe në Estradë apo dhe në kinemanë shqiptare sot është një nga emrat që ka merituar një vend nderi në artin shqiptar. Me shumë përkushtim dhe pasion ndaj profesionit të tij, edhe këto kohë ai nuk e ka shkëputur vëmendjen nga teatri. Publiku këto kohë e gjen aktorin Luftar Paja në dramën shqiptare “Made in Albania” e dramaturgut Stefan Çapaliku vënë në skenë nga regjisori Altin Basha, i cili këtë herë i ka besuar rolin e rojes së një rrobaqepësie, një biznes fason. Për gazetën aktori zbulon të veçantat dhe profilin e personazhit të tij. Një njeri servil, për të cilin thotë që nuk ndahet dhe nga nostalgjia që ka për kohën e kaluar. Sipas tij, në thelb roli i rojes së rrobaqepësisë është prepotent me ato gra që punojnë aty dhe servil me shefat e tij, ku nëpërmjet një poezie ruse shfaq nostalgjinë për kohën e Stalinit, të Enverit, dhe sot në këtë kohë ky personazh e ka zgjedhur personalitetin e tij duke u servilosur ndaj shefave. E kjo sipas aktorit, pasi të gjithë servilët sidomos sot në kapitalizëm hanë mirë. Luftar Paja ka qenë dhe është i aftë të luajë komedi, teatër, film. Dikush mund ta kujtojë si Çobon tek “Çobo Rrapushi”, hanxhiun te “Udha e shkronjave”, Velon tek “Gunat përmbi tela” e në shumë filma të tjerë artistikë, si “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”, “Ëndrra për një karrige”, etj, por sipas aktori ato vite punohej me shumë vëmendje dhe pasioni ishte i madh për artin. Sot arti në vend për aktorin Luftar Paja ka shumë probleme. Mungojnë investimet e duhura, ndërsa jeta artistike në rrethe është e varfër, ku dhe artistët nuk kanë një vëmendje sa duhet për trajtim financiar. Përballë këtyre problemeve aktori i njohur shprehet se Ministria e Kulturës duhet të jetë dhe si një rregullator për jetën artistike në skenat e teatrove në vend. Me probleme aktori shikon dhe kinematografinë shqiptare, ku pohon se artistët janë në funksion të popullit dhe duhet ti servirin më të mirën popullit. Por për mungesën e dramës shqipe, aktori cilëson faktin se drama shqipe mungon sa duhet në skenat tona sepse ka triumfuar koncepti i gabuar që nuk ka autorë, nuk ka njerëz që ta trajtojnë problematikën që preokupon vendin tonë, ku sot e kanë më lehtë të marrin kasetat e dramave të huaja për të sjellë shfaqje në teatër. Sot të gjithë e shikojmë Luftar Pajën një aktor të njohur dhe të vlerësuar, por pak e dinë që fillimet e tij kanë qenë me studime në një shkollë që nuk kishte të bënte me artin. Ai tregon se pas mbarimit të shkollës së mesme Elektrike e Pedagogjike në vitin 1963 mbaron studion 1 vjeçare për aktor në Teatrin Popullor, por për të mbërritur deri tek teatri kaloi një rrugë me plot peripeci.
-Drama “Made in Albania” ju riktheu në skenën e teatrit. Çfarë mund të na thoni mbi pjesëmarrjen tuaj në këtë shfaqje. Si jeni ndjerë këtë herë mes aktorëve, që luajnë në këtë vepër?
Me këtë vepër që është shkruar nga Stefan Çapaliku, “Made in Albania”, e vënë në skenë nga regjisori Altin Basha, me skenografi dhe kostumografi nga Iliriana Loxha Basha dhe koreografi nga Gjergj Prevazi jam ndjerë tepër i rinuar. Kjo sepse qe një gërshetim shumë i bukur midis dy aktorëve të vjetër siç është Zyliha Miloti dhe unë, me një kastë aktorësh si Shegushe Bebeti, Florian Agalliu, Albana Koçaj, Eglantina Ceno, Loredana Gjeçi, Era Çaushi, Arjeta Dhima, Sara Smaja, Linda Jarani, Algiona Aga, Aleksandër Seita. Mendoj se u ndërthur bukur gërshetimi i brezave në këtë shfaqje teatrore.
-Këtë herë vini në rolin e rojes. Por çfarë sjell në galerinë tuaj të personazheve?
Autori me këtë vepër ka pasur parasysh që të trajtojë shfrytëzimin e krahut të punës në kapitalizëm, siç janë fasoneritë, sepse në vendin tonë krahu i punës është i lirë dhe është një shtresë, që punon për bukën e gojës. Këtë përveç autorit, regjisori Basha e trajton nga ana regjisoriale shumë bukur. Edhe shfrytëzimi nga ana e pronarëve del në pah shumë mirë, por edhe protesta që bëjnë këto gra që punojnë në rrobaqepësi, ku është trajtuar me shumë finesë nga regjisori. Kjo shfaqje ka një harmoni ansambël pavarësisht spikatjes tek-tuk të figurave, por është për tu theksuar që më tepër spikat si ansambël. Zyliha Miloti është kripa e gjellës në këtë shfaqje. Edhe unë jam munduar të trajtoj një figurë, nëse ia vlen apo jo e përcakton spektatori, megjithatë dua të them që personazhi im, që është një roje në rrobaqepësi, një biznes fason, vjen me origjinë nga diktatura. Një ushtarak, artiljer, i cili vjen në këtë kohë dhe mundohet me çdo kush ti përshtatet botës kapitaliste. Megjithatë roja është dhe me përvojën e viteve të ushtrisë, ku ka qenë dhe artiljer, gjë të cilën e vë në funksionim në drejtimin e kamerës që përdor gazetarja kur vjen në këtë fasoneri, pasi ajo e ka kameramanin të sëmurë, dhe i del për zot roja. Roja shfaq nostalgji të nuancave të kohës së kaluar. Në thelb figura e rojës, është prepotent me ato gra që punojnë aty dhe servil me shefat e tij. Është jo plotësisht, por një Zhvejk në miniaturë. Edhe nëpërmjet një poezie ruse, shfaq nostalgjinë për kohën e Stalinit, të Enverit, dhe sot në këtë kohë ky personazh e ka zgjedhur personalitetin e tij duke u servilosur ndaj shefave të tij. Kjo sepse të gjithë servilët sidomos sot në kapitalizëm hanë mirë. Servilët në çdo sistem kanë përfituar. Kjo shfaqje pa u mbushur dy muaj doli në skenë, ku aftësia e regjisorit Altin Basha tregoi që ai ka dhe një takt të shkëlqyer në marrëdhënie me artistët. Altini krijojë një atmosferë të ngrohtë në marrëdhënie me trupën e aktorëve.
-Meqë jemi te teatri, si i shikon një aktor si ju më dekada eksperiencë problemet me të cilat përballen skenat e teatrove?
Probleme teatri dihet që ka. Është Ministria e Kulturës ajo që duhet të jetë një rregullatore e këtyre institucioneve artistike në shkallë vendi, dhe kjo sepse art nuk bëhet vetëm në Tiranë. Në Tiranë mund të bëhet art cilësor, dhe kushtet janë të atilla që mungojnë nëpër rrethe. Por dhe rrethet duhet të kenë një jetë të gjatë artistike. Nuk është i paktë Durrësi, Fieri,Vlora, Korça, Shkodra, etj. Vëmendja jo vetëm e ministrisë, por dhe e qeverisë, të paktën në qarqet kryesore duhet të jetë më e madhe. Edhe atje qytetarët kanë të drejtën e çlodhjes dhe argëtimit. Mendoj që trupat artistike në rrethe duhen ritrajtuar, riaktivizuar më mirë qoftë edhe nga ana financiare apo dhe nga ajo artistike. Një aktor në Shkodër, Fier, Vlorë, etj, trajtohet në mënyrë të përçmuar. Jo se nuk kemi respekt për pastrueset, sepse dhe ato bëjnë punën e tyre fisnike, por niveli i një artisti në rrethe sidomos nuk duhet trajtuar nga ana financiare me nivelin e një pastruesje. Duhet bërë dallim, artistët kërkojnë vëmendje dhe vlerësim. Por kjo vlen dhe për fusha të tjera në rrethe, vlen dhe për fushën e shëndetësisë. Andej nga kam lindur unë në zonën e Cakranit, që është me rreth 22500 banorë, në kohën e Enverit ka pasur një spital me dhjetë shtretër, por sot nuk ka. Prandaj them, që disa gjëra që janë për tu trajtuar nuk duhet të hezitohet.
–Po mungesa e dramës shqipe në skena të teatrove, një problem që u theksua dhe gjatë prezantimit të kësaj shfaqje. Çfarë mund të na thoni?
Drama shqipe mungon sa duhet në skenat tona, sepse ka triumfuar koncepti i gabuar që nuk ka autorë, nuk ka njerëz që ta trajtojnë problematikën që preokupon vendin tonë. Por edhe e kanë më lehtë të marrin kasetat e dramave të huaja. Por sido që të jetë buka jote është e jotja dhe do të merret ashtu siç është. Dhe arti ka për detyrë ta ngrejë në një nivel më lart artistikisht. Prandaj quhet dhe art kolektiv. Drama shqipe nuk duhet konceptuar në dorë të njërit, por të tyre që do punojnë për të. Duhet hequr dorë nga ai koncept, që nuk kanë nivel. Nga ana tjetër duhet që të hapen dhe konkurse të dramaturgëve. Nëse në një konkurs të vijnë 50 drama të skicuara, nga këto prurje një apo dy do dalin për skenën.
-Në aktivitetin tuaj artistik ka spikatur roli i Çobos në shfaqjen “Çobo Rrapushi me shokë”. Por ju keni pohuar se ai rol sot nuk gjendet më?
Çobo ka fatkeqësinë e madhe që nuk gjendet gjëkundi nëpër arkivat e RTSH. Çobo ka mbetur në mendjet e atyre brezave para viteve ’90. Ky brez që është sot, nuk di kush ka qenë Çobo. Por ama për kohën kur u realizua, roli i Çobos ka qenë një figurë që unë e mbaj si një nga figurat më të mira të kohës. Çobo në koncept kishte meqë bëmë luftën, në ndërtimin e socializmit ne duhet të dredhim zinxhirin, luftuam ne duhet të punojnë të tjerët që të hamë ne, dhe na pëlqejnë tribunat, darka e dreka. Ka qenë një rol, që është realizuar nga vitet ’80.
-Keni pasur dhe role të tjera, që kanë spikatur në komedi, estradë. Si ka qenë kjo punë për ju?
Karriera ime artistike përmban rreth 55 vjet. Me publikun jam shumë i kënaqur se më ka trajtuar dhe vlerësuar shumë. Por ka dhe ndonjë gazetar, që e quan veten më të mençur dhe në emision thotë për shfaqjen “Made in Albania” për aktorët që marrin pjesë, kush janë këta ai aktori i Fierit dhe ajo e Shkodrës? Unë në aktivitetin tim artistik kam lozur në disa komedi. Kam lozur në komedinë “Një budalla e gjysëm” të një autori grek, që ka pasur sukses dhe është pritur shumë me regji nga Arqile Garo, partnere kryesore Xhuljeta Kullën, aktorë të tjerë pjesëmarrës si Todi Llupi, Arqile Lipe, Fuat Boçi, etj. Po nga ky autor që ka shkruar 37 komedi, kam lozur dhe në Korçë më sa kujtoj në 2004 “Të gjithë hajdutët ikin në DP (drejtim të paditur)”, një tjetër komedi po nga ky autor më pas, për të vijuar me rolin e Halil Shkozës te drama satirë Dritëro Agollit “Fytyra e dytë”.
-Veçoni nga personazhet?
Se kam thënë unë, por e kanë thënë aktorë më të mençur që nga gjigandët e skenës si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, etj, që rolet për artistin janë si puna e atyre fëmijëve që cilin gisht të presësh të dhemb, edhe unë pse kanë qenë role të dashura i kam interpretuar.
-Batutat, që mbani mend nga komeditë?
Batuta ka shumë, sjell në vëmendje batutat te komedia e Pëllumb Kullës “Luftë e ngatërruar”, si: na shkoi jeta varur, ose di gjë ti se kur do na lirojnë o Tosun? Dhe ai thotë sa vajti ora, ku unë i them sa të pëlcasin. Por ai përgjigjet: le që ne u mësuam tani varur, kot që të na lirojnë se prapë do na varin.
-Një kontribut i madh nga ju është dhe në kinematografinë shqiptare. Përmend këtu dhe filmin “Ëndërr për një karrige”, ku roli juaj të bën të qeshësh edhe sot. Pse ?
Në filmin “Ëndërr për një karrige” kam pasur rolin kryesor. Kam interpretuar në filmin “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, etj. Në periudhën e diktaturës kam lozur në rreth 20 filma artistikë. Pyetët për filmin “Ëndërr për një karrige”, dhe sot filma me këtë trajtim komik nuk i kemi. Filmat komikë regjisori dhe aktori që drejton këtë punë kanë parasysh seriozitetin, që merret lënda që trajtohet si komedi. Nëse një problem qesharak trajtohet me seriozitetin më të madh nuk ka nevojë të ngërdheshesh se del vetë komedia. Ndaj aktori është i predispozuar të derdhë djersën me shumë seriozitet, sepse del vetë komedia në material. Ti mund të trajtosh diçka komike e të qeshësh vetë i pari, por halli yt është komedia që na i jep spektatorit.
-E ku qëndron sot kinemaja shqiptare për ju?
Ne artistët jemi në funksion të popullit. Duhet t’i servirim gjellën tonë popullit. Ne jemi kuzhinerët që e gatuajmë, dhe populli nëse nuk e pëlqen supën tonë nuk e ha. Prandaj jemi të detyruar të punojmë dhe t’i servirim popullit gjëra të mençura, vlera artistike, sepse çdo popull ka psikologjinë e tij. Italiani i bën komedinë dhe filmat për problematikat që ka në vendin e tij, edhe Shqipëria duhet t’i bëjë. Unë nuk jam në kundërshtim pas modernes, por ama filmat dikur janë ushqime bio.
-Po filmat sot?
Filmat sot kanë një dozë hormonesh.
-Jeni vlerësuar për rolet komikë, si është për ju kjo pjesa kaq e vlerësuar në aktivitetin tuaj?
Po përmend aktorin Ben Hill, që i ka trajtuar të gjitha problemet, edhe banalitet i ka trajtuar me shumë seriozitet dhe ndaj spektatori e pëlqen dhe ne themi humori anglez. Kemi disa lloje humoresh, ku mund ta trajtosh problemin në grotesk, por këtu dihet që sa fillon vepra dhe mbaron është e gjitha në grotesk, ndërsa ndryshe është komedia. Mua vetë më ka bërë përshtypje dhe më pëlqen loja realiste, pa fryrje.
-Ju u shprehët se keni rreth 55 vite aktivitet artistik. Por një peng ka për aktorin Luftar Paja?
Pengje? Njeriu nuk ngopet me jetën dhe me profesionin që ka. E kam thënë dhe më parë, që kam ushqyer dashuri për figurën e Zhvejkut. Them se me një përkujdesje të mirë, me regjisurë të mirë mund të kisha dhe një sukses me atë që më ka mbetur pak si peng.
-Studimet në fillim i keni nisur për shkollën elektrike, por hytë më pas në rrugën e artit. Si i kujtoni ato vite?
Unë kam mbaruar shkollën elektrike dhe një vit pedagogjiken. Në vitin 1963 mbarova studion 1 vjeçare për aktor në Teatrin Popullor. Atje kam pasur pedagogë si Andrea Malo, që kishte mbaruar studimet jashtë, Pjetër Gjokën dhe Selman Vaqarrin. Unë në jetën time fëminore kam pasur shumë lëvizje, kam qenë me një fëmijëri ku sa krijohej një shoqëri aty ku jetonim transferohej babai tek një vend tjetër, sepse im atë ishte oficer. Unë prirjen dhe baza e genit familjar e kam pasur për humor, por kushtet jo. Ka qenë 9 mijëshi i famshëm në kohën e Bashkimit Sovjetik, ku u lirua babai. 9 mijëshi ka qenë, ku ushtria çmobilizoi 9 mijë veta atë kohë që kishin ardhur nga jeta partizane. Babai im shkoi në fshat. Merreni me mend fëmija i një oficeri që ka qenë në Vlorë, Sarandë, Patos, shkon të jetojë në fshat. Atje në fshat ishim vetëm me ushqimet e muajit që merrte oficeri, pastaj duhej të punoje në kooperativë. Isha në klasë të pestë. Babai thoshte, mua më duhet ndihmë, por unë doja shkollë. Me peripeci kam ikur hajdutshe nga shtëpia tetë ditë pa adresë, ku përfundova në Kuçovë për studime në degën elektrike. Pas 8 ditëve dërgova lajm në shtëpi se ku isha. Më kanë kërkuar atë kohë dhe nuk dinin se ku isha. Por unë shfrytëzova shokun e babait, që kishin qenë gjatë luftës dhe ai më ndihmoi, sepse ishte kryetar Dege në Kuçovë. I them që më ka dërguar babai te ty të më çosh në shkollë. Por pas tetë ditëve mu deshën certifikata dhe i dërgoj lajm familjes që jam në qytetin Stalin si quhej atë kohë. Erdhi babai dhe më tha: pse ma bërë këtë? I them që doja shkollën. Mbarova këtë shkollë dhe fillova dhe me aktivitetet artistike atje dhe më pas erdha në Tiranë te Teatri Popullor. Në vitin 1968 ku unë gjatë kësaj kohe merrja pjesë në aktivitete e Pallatit të Kulturës në Patos, me talentin që kisha më morën në Estradën e Fierit, ku nga ky vit deri në 1992 nuk kam lëvizur. Më 1993 erdha në Teatrin Kombëtar deri në 2003 kur dola në pension.
Në teatër dhe filma
Luftar Paja lindi në Gorishovë të Mallakastrës më 1 dhjetor 1941. Pas mbarimit të shkollës së mesme Elektrike e Pedagogjike në vitin 1963 mbaron studion 1 vjeçare për aktor në Teatrin Popullor. Qysh në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Luftëtari është nderuar me medalje të çmimit të parë në vitin 1969 për kontributin e dhënë në grupet amatore, është nderuar me medaljen e “Naim Frashëri” e klasit të parë. Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit “Bylis” Fier. Luan në teatër në dramën “Hijet e natës”, “Fejesa e Çehovit”. Ndër rolet më të spikatura të aktorit Luftar Paja është “Çobo Rrapushi me shokë” në rolin e Çobos, në dramën “Vite të paharruara”, “Fytyra e dytë”, etj, si dhe në qindra e qindra komedi me një akt. Në vitin 1979 merr titullin “Artist i Merituar”. Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistik. Ku ka spikatur me role në filma patriotik si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”, apo filma me temë të asaj kohe si “Ëndrra për një karrige”, etj. Në vitin 1990 merr titullin e lartë “Artist i Popullit”. Në vitin 2001 është shpallur Qytetar Nderi i Fierit. Në 31 maj të vitit 2005 atij i jepet titulli Nder i Qarkut Fier. Intervistoi: Julia Vrapi