Reja i prerë me të gjithë: Kush nuk i pranon zgjedhjet e mija, të rrijë në shtëpi

Edy Reja u dërgon një përgjigje të qartë kritikëve të shumtë, por edhe lojtarëve që nuk figurojnë në formacionin e tij titullar, sikurse është Armando Broja, i cili ndaj Hungarisë bëri “heroin” kuqezi me atë gol tepër të çmuar dhe të bukur. Trajneri italian i kombëtares ka analizën e tij për atë që ndodhi mbrëmë dhe çfarë pret nga lojtarët kuqezinj:

“Kur flitet për Poloninë merret parasysh vetëm rezultati 4-1, por po ju them se kemi luajtur më mirë se kundërshtari. Edhe sonte kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Në pjesën e parë kemi krijuar disa mundësi, duhej të konkretizonim më parë, pastaj erdhi ky gol që na çliroi.

Duhet t’i njohim meritat e Hungarisë që luftoi e na bëri të vuajmë me topa të gjatë. Të mundësh Hungarinë që ka luajtur në Europian, nuk është pak. Vuajtëm sidomos në aspektin fizik, gjithçka e merituam se djemtë ishin të fokusuar me mendje dhe zemër. Në fazën mbrojtëse kemi bërë një ndeshje të mirë, ndërsa përpara jemi shfaqur me episode. Duhet të jemi më konkretë në finalizim, kemi humbur disa mundësi të mira.

Broja titular, meqë shënoi golin e fitores ndaj Hungarisë? Nuk ka titullarë të padiskutueshëm, ka shënuar edhe Cikalleshi. Çfarë të bëj? Të hedh Brojën, Cikalleshin? Do të shohim! Nëse vjen në formë e me kondicion, të shohim se si do të jetë me klubin. Nëse luan titullar me klubin duhet marrë në konsideratë. Broja ka aftësi të rëndësishme. Ka një talent dhe hapësirë rritjeje nga mosha, por duhet përmirësuar në shumë aspekte.

Në kombëtare nuk është si klubi, ku ke kohë për gjithçka. Këtu nuk e ke këtë mundësi. Çdo top që merr është një top që duhet ta luash, jo ta humbasësh. Duhet administruar më mirë topi. Ne kemi humbur shumë mundësi. Edhe kur shënuam duhej ta mbanim më mirë topin, jo ta largonim. Një skuadër në avantazh duhet të luajë me më pak presion, por kjo është një ndeshje vendimtare. Po të humbej ishim jashtë garës për kualifikim, por sonte u kthyem dhe treguam se jemi gjallë.

Çfarë i thashë Brojës? I kam thënë vetëm pozicionin që duhej të mbante dhe sidomos të bënte të dyja fazat, me top apo jo, se në ato 20 minuta duhet të punojë për ekipin. Ai bëri mirë, edhe duke gjetur pozicionet. Duhet të vihet në pozicion që t’u japë lehtësi mesfushorëve. Nëse e mëson edhe këtë… Trajneri që ka tani nuk e vinte të luante se futbolli ka dy funksione. Kur ai të mësojë t’i bëjë gjërat edhe pa top, do të bëhet një lojtar i kompletuar.

Kemi 28 lojtarë, me raste bëjmë zgjedhje me të tjerë. Këtu nuk ka titullarë e zëvendësues. Unë bëj zgjedhje. Nëse i pranojnë, mirë, përndryshe të rrinë në shtëpi. Objektivi? Do të luajmë shanset tona, tani kemi San Marinon, një ndeshje që duhet ta përballojmë në mënyrën e duhur. Pastaj do të luajmë shanset me Poloninë.

Duhet të hakmerremi për humbjen e rëndë. Kemi ndeshje të rëndësishme, t’i luajmë me radhë. Të mundohemi të marrim tri pikët me San Marinon nëse jemi të aftë dhe pastaj të shohim. Të shohim në çfarë gjendjeje do të vijnë lojtarët në tetor, cili do të jetë në formë. Derisa të ketë shanse, do të luajmë deri në fund për kualifikim”.

Loading...