Mark Marku: Berisha duhej të ishte larguar me kohë nga PD, Bashës
Ish-deputeti i PD Mark Marku foli gjatë një interviste në emisionin “Opinion” lidhur me vendimin e DASH për të shpallur non grata ish-Kryeministrin Berisha. Ndërsa u shpreh se lufta ndaj korrupsionit duhet të nisë nga eksponentë që janë në qeveri dhe jo në opozitë, Marku u shpreh gjithashtu se në këndvështrimin e tij Sali Berisha duhej të ishte larguar nga politika dhe ta kishte ndërprerë karrieren që në vitin 2013.
“Sali Berisha në 2013 duhej të ishte larguar. Nuk duhej të kishte qëndruar. Po them sikur të isha unë. Cikli normal i politikave në demokraci është 8 – 8, pra 8 vite në opozitë dhe 8 vite në qeveri. Edhe të ikin. Berisha ka qenë në opozitë, ka ardh në pushtet e ka dyfish këtë aktivitet politik, ka kaluar prapë në opozitë, ka kaluar prapë në pushtet. Jep dorëheqje! Meritë e madhe që bëri zgjedhje, nuk i prishi zgjedhjet, iku vetë. Duhej ta kishte ndërprerë karrierën. Duke mos e ndërprerë ka krijuar një lloj mbivendosje të roleve. Një lider historik që ka peshën në parti dhe duke qenë aty elektrizon dhe një lider tjetër, po themi formal. Kjo mbivendosje e lidershipit është një nga arsyet pse PD nuk ka ardhur në pushtet”, tha Marku.
Marku ka folur lidhur me vendimin e tij për të dorëzuar mandatin e deputetit, për t’u larguar nga Partia Demokratike dhe nga çdo angazhim politik. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, Marku tha se fillimisht ka qenë kundër dorëheqjes së Bashës pas humbjes së zgjedhjeve nga PD, por pohoi se ishte kundër zgjedhjeve në parti dhe mbajtjes së kongresit në një kohë aq të shpejtë.
Pjesë nga intervista në studio
Fevziu: Keni biseduar më Bashën pas zgjedhjeve dhe rezultatit negativ?
Marku: Kam biseduar vetëm për vetëm disa herë dhe u hap fjala që do jepte dorëheqjen dhe i thashë: Mos jep dorëheqje ke detyrë të çosh partinë deri në një moment X. I thashë: Do duhet që të përgatitemi mirë. PD vërtet ka fituar më shumë vota, por humbja për herë të tretë e rëndonte situatën e PD. Jemi në një sitisatë të rëndë dhe duhet të ndryshojmë. Nëse shoqëria nuk ndryshon duhet të ndryshojmë ne.
Fevziu: Reagimi?
Marku: Si përherë Basha është komod në biseda, problemi është tek rezultati. Ideja ime ishte të mos bëheshin zgjedhjet shpejt, sepse do të harrohej ajo që ndodhi në zgjedhje, nuk mund të luftohej paralelisht edhe të denoncoje vjedhjet e zgjedhjeve edhe të organizoje zgjedhje në parti. Isha kundër kongresit në një kohë aq të shpejtë sepse PD është në një fazë që duhet të bëjë disa analiza, duhet të bëjë analizën e këtyre zgjedhjeve, por edhe analizën 30 vjeçare. Isha që kongresi të bëhej ngadalë, të përgatitej mirë, të hapej një debat./Opinion
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se çfarë duhet të bëjë Lulzim Basha në këtë situatë, Marku tha: “Unë kam propozuar një formulë që Berisha ngrin marrëdhëniet me PD, nuk i jep kosto PD, vazhdon betejën e vet dhe në momentin që zgjidhet çështja merr një drejtim tjetër. Por Basha e ka shumë vështirë sepse si lider të PD e ka promovuar Sali Berisha. E ka vendim shumë të vështirë nga pikëpamja morale, etike”.