Taulant Balla tha se kjo ngjarje do të diskutohet nga byroja e parlamentit, dhe do të merret një vendim.
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, i kërkon dhe do të depozitojë në minutat në vijim, kërkesën drejtuar Byrosë së Kuvendit, bazuar në nenin 65, të Rregullores së Kuvendit, për masa disiplinore më të rënda, paragrafi dy. Bazuar po ashtu dhe në Kodin Penal, neni 223; do të kemi dy kërkesa të ndryshme, e para Byrosë së Kuvendit për marrjen e masës disiplinore të përjashtimit nga Kuvendi dhe do i takojë Byrosë që siç e përcakton rregullorja të thërrasë deputetin shkelës të rregullores për të dhënë shpjegimet dhe arsyet për thirrjet publike për veprime të dhunshme të përcaktuara nga Kodi Penal”, tha Balla.
Ai shtoi se “thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues dënohen me gjobë ose burgim deri në tre vjet. Kjo është pjesa që i takon organeve të drejtësisë. Për sa i përket Rregullores së Kuvendit unë do t’i bëja thirrje Partisë Demokratike, grupit të saj parlamentar. Dje kryetari i Partisë Demokratike kthehet në transportues vezësh me të cilat pastaj goditet Kryeministri apo kushdo tjetër në këtë sallë. Sot ish-kryetari i Partisë Demokratike, ish-kryeministri Berisha bën thirrje për dhunë, këto janë të papranueshme”.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i bëri thirrje edhe Partisë Demokratike që të distancohet nga kjo thirrje e Sali Berishës. Sipas Ballës, Sali Berisha ka shkelur dhe cënuar rendin kushtetues.
“Unë besoj se brenda Partisë Demokratike ka ngelur shtetarizëm për t’u distancuar nga kjo dhunë e pashembullt dhe nga kjo retorikë politike që nuk i bën aspak mirë Shqipërisë dhe rrugës sonë europiane. Apeli im është që Partia Demokratike, urgjentisht, të distancohet nga këto lloj thirrjesh. Po ashtu i bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit, që në përfundim të kësaj seancë, brenda afatit 48 orësh, Byroja e Kuvendit të shqyrtojë kërkesën tonë, por dhe kërkesat e depozituara dje ndaj deputetit Lulzim Basha dhe deputetëve të tjerë shkelës të Rregullores së Kuvendit”, deklaroi Balla.
Vërejtje bëri edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili tha se kjo është hera e dytë që kjo thirrje bëhet në Kuvend nga ish-kryeministri.
Kërkesa e kryetarit të grupit parlamentar socialist, u pranua nga kryetari i Kuvendit, i cili vendosi 10 minuta pushim.