Pas mbrëmjes festive tradicionale të fëmijëve të dalluar në mësime, kartolina e Kryetares së Bashkisë, zonjës Florjana Koka, ka shkuar sot për të tjerë fëmijë.
Dhuratat me lodra të ndryshme për mosha fëminore kanë shkuar së pari tek çdo fëmijë në çerdhen më të hershme publike në qytet. Këto lodra u shtuan më shumë gëzim fëmijëve të moshave më të vogla të këtij institucioni publik. Atmosferë shumë të gëzueshme ka krijuar mes tyre prania e “Babagjyshit” të Vitit të Ri, që ata e prisnin t’u shkonte dhe u shkoi sot.
Fëmijët e pritën me shumë gëzim marrjen e dhuratës, ndërkohë që atmosfera e festave të fundvitit u bë edhe më e ndjeshme, përmes tingujve muzikorë dhe këngëve që ata kënduan në mënyrën e tyre.
Ndalesa e dytë për të dhënë urimin dhe dhuratën e fundvitit, ka qenë institucioni i Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla”. Kryetarja e bashkisë, zonja Florjana Koka dhe nënprefekti i Sarandës, Ardian Gurma u pritën me shumë dashuri nga fëmijët e këtij institucioni dhe edukatorët e tyre. Shpërndarja e dhuratave u shoqërua me shumë gëzim dhe me një koncert spontan, që banorët e kësaj Shtëpie të Madhe po përgatisin të japin në ditët e fundit të vitit.
Si shprehje solidariteti dhe vëmendjeje ndaj fëmijëve të këtij institucioni, në të njëjtin moment kishin shkuar pranë tyre edhe një grup nxënësish sarandiotë të shkollës së mesme profesionale “A. Athanas”, të cilët çuan ëmbëlsira të përgatitura në shtëpitë e tyre për këtë fëmijë që kanë nevojë për ngrohtësi.
Zonja Koka dhe zoti Gurma uruan nga zemra fëmijë dhe edukatore, që të kenë një vit plot shëndet, me suksese në mësime dhe me mbarësi në jetët dhe në familjet e tyre. Ata premtuan se do të jenë sërish pranë fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijëve “Vangjel Pulla” në festën tradicionale që ata organizojnë disa ditë para ndërrimit të viteve.
Shpërndarja e dhuratave ka vijuar edhe në institucionet publike të Ksamilit dhe do të shoqërojë fundjavën dhe ditët e javës së ardhshme, në të gjitha institucionet shkollore e parashkollore të bashkisë së Sarandës. /atsh