Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka sqaruar se përse u mor në këtë kohë vendimi për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, kur ai ka 8 vite që nuk është më në pushtet.
Në një intervistë të dhënë për “Zërin e Amerikës”, diplomatja e SHBA u shpreh se shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon kohë të gjatë.
E pyetur nëse kreu i PD, Lulzim Basha kishte kërkuar më herët informacion për Sali Berishën, ambasadorja Yuri Kim pohoi duke thënë se ai kishte kërkuar publikisht informacione.
Zëri i Amerikës: A ju ka kërkuar informacion Zoti Basha?
Ambasadorja Kim: Ka kërkuar publikisht. E kemi dëgjuar. Kemi parë edhe deklaratat nga të tjerë. Kur vjen fjala tek Qeveria e SHBA, për këto përcaktime ekziston një proces.
Advertisements
Zëri i Amerikës: Pse masa ndaj zotit Berisha u mor tani, kur ai ka 8 vjet që nuk është në pushtet?
Ambasadorja Kim: Shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon një kohë të gjatë. Përsëris, dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë.
Zëri i Amerikës: Sanksionet e qeverisë amerikane ndaj zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë, janë zgjedhur si një instrument për të luftuar korrupsionin në një vend të caktuar. Megjithatë, a rrezikohet që efikasiteti i një mase të tillë të minohet nëse vetë autoritetet lokale të drejtësise, nuk e ndjekin më pas, nuk e shoqërojnë me ndonjë hetim?
Ambasadorja Kim: Pavarësisht nëse këto vendime janë për në Shqipëri apo ndokund tjetër në botë, siç e thashë më herët, në momentin që këto vendime çertifikohen nga Sekretari i Shtetit dhe shpallen nga Sekretari i Shtetit, ato janë shumë të dukshme dhe do të ishte me vend që autoritetet vendase të shikonin masat.
Zëri i Amerikës: Duke kaluar tani në kampin tjetër, atë të qeverisë. Tanimë është e njohur përbërja e kabinetit të ri. Çfarë prisni ju nga qeveria e re shqiptare, ndonëse kemi të njejtin kryeministër dhe vetëm pak emra të ndryshuar?
Ambasadorja Kim: Mendoj se fakti që Kryeministri Rama ka fituar një mandat të tretë të paprecedent vendos një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi të dhe ekipin e tij për të fituar, për të demonstruar se e kanë fituar besimin e popullit shqiptar. Mendoj që stili “si zakonisht,” pra performanca në nivel mesatar nuk mjafton. Mendoj se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit, qoftë nëse flitet për reformën në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve të demokracisë; qoftë nëse flitet për rritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara; qoftë nëse ka të bëjë me pastrimin e gjykatave dhe sqarimin e të drejtave të pronësisë në mënyrë që investimet të fillojnë të rriten fort këtu në Shqipëri në një mënyrë që është shumë më normale.