Kreta është kthyer në ishull fantazmë me ndërtesa të shkatërruara dhe asnjë person rrugëve, pas tërmetit të mëngjesit të sotëm.
Një tërmet i fuqishëm ka goditur ishullin e Kretës, në Greqi, paraditen e sotme, rreth orës 09:17. Mësohet se tërmeti me magnitudë 5.8 i shkallës Rihter është regjistruar në thellësi 10 km pranë zonës Arvis, 23 km në veriperëndim të qytetit Iraklios.
Sipas informacioneve të para nga mediat greke raportohet se një person ka humbur jetën, ndërsa dëmet materiale sikurse shihet edhe nga pamjet janë të shumta.
Bëhet fjalë për një 58 vjeçar që ka humbur jetën pasi është shembur një pjesë e kishës në fshatin Arkalohori, ndërsa një i plagosur rëndë është shtetas shqiptar, i cili punonte në kishën që u dëmtua. Gjithashtu ka informacione për dy persona të lënduar në fshatin Patsidero dhe tre persona që janë bllokuar brenda një shtëpie, e cila ka pësuar dëme të mëdha në fshatin Arkalohori. Gjithsej numri i personave të lënduar ka shkuar në 9.
Lëkundjet kanë qenë tejet të forta saqë banorët kanë dalë të tmerruar nga banesat e bizneset e tyre, ndërsa tashmë ndodhen në rrugë.