Vlora Hyseni, që ka qenë e angazhuar në udhëheqjen AKI-së, tash është angazhuar nga kryeministri Edi Rama, si këshilltare e tij.
Ish-zëvendësdrejtuesja e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Vlora Hyseni, është emëruar këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, raporton Gazeta Express.
Ajo, para disa muajve, u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, prej funksioneve të AKI-së.
Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, gjatë periudhës sa institucioni që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti kishte mbetur pa drejtor.
Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.
Hyseni nga informacionet e pakëta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo flet disa gjuhë të huaja.
Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.