Krijuesit vlonjatë, dhe roli i tyre në letërsinë shqiptare – Nga Albert R. Abazi
Nëqoftëse letërsinë shqiptare të shekullit XX e cilësojmë një rrokaqiell (ndërtesë shumëkatëshe) të qytetit të mrekullueshëm të letërsisë universale,Vlorës i takon nderi të ketë katër kate, si dhe shumë dhoma të tjera të bukura, me hapësirë, me dritë e me ajër.
Katër janë shkrimtarët vlonjatë të nivelit kombëtar, pa të cilët letërsia shqipe do të ishte e e paplotë, e cunguar, pa këtë formatim harmonik që njohim sot.
Këta shkrimtarë sipërorë janë: Ali Asllani, Petro Marko e Shevqet Musaraj, që spikatën me brezin e artë të krijimit të viteve ’30-të, tok me Migjenin, Lasgushin, Kutelin, Konicën, Nolin, Fishtën, Koliqin etj. I katërti është Fatos Arapi, poeti i Zvërnecit, që i përket letërsisë së pasluftës. Robert Elsie, historian i njohur i letërsisë shqiptare e cilëson F.Arapin “më të mirënjohurin ndër poetët e sotëm shqiptarë”.
Shquhet publicisti aristokrat Eqrem bej Vlora (1885-1964), politikan, erudit e studiues historie, kulture dhe etnografie. Është ndër shqiptarët e parë me bibliotekë të pasur,që njihet, për kohën, ndër më të dëgjuarat dhe në Ballkan. “Kujtimet” e tij janë një vlerë e rrallë albanologjike.
Një personalitet i njohur është dhe atdhetari demokrat Halim Xhelo (1893-1937), ndër themeltarët e zjarrtë e titanikë të publicistikës letrare, ideator dhe frymë e luftës së Vlorës; është cilësuar si Abdyl Frashëri i kësaj epopeje,që gremisi perandorinë e pushtimit…
Nga Vlora është dhe i njohuri Nexhat Hakiu (1917-1978), autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane, botuar më1939, në tiranë me titullin “Këngët e zambares”. Për lirikat e dashurisë radhitet i dyti pas Ali Asllanit, për atë lloj vjershërimi.
Të tjerë shkrimtarë të angazhuar, por më minorë janë Isuf Luzaj; Andrea Varfi, Aleks Çaçi dhe Spiro Çomora. Një emër i paharruar për letërsinë është dhe juristi vlonjat Kudret Kokoshi( -1991, poet i hollë e përkthyes i zot, burgosur edhe nga fashistët, edhe me pas nga komunistët. Dramaturgu i talentuar Minush Jero (1933- ) nga Vlora për dramën “Njolla të murme” fitoi çmim të parë më 1968, në Festivalin Kombëtar të Teatrit, por u burgos për “mungesë të pastërtisë ideologjike”. Në vitet 1970-’80 dalin në skenën letrare shqiptare emra si Fadil Zeqiri, Neshat Tozaj, Shefqet Tigani, Flora Gjondeda, Llambro Ruci, Ruzhdi Gole, Dalan Luzaj, Lefter Çipa, Kastriot Mahilaj, Maro Pasho, Irfan Bregu, Miliano Stefa, Odise Goro e Hiqmet Meçaj, i krahasueshmi në poezi me nivelin artistik të Xhevahir Spahiut, që dhe u inkurajuan si talente të reja të kohës.
Nga autorët vlonjatë janë përfaqësuar në antologjinë e letërsisë bashkëkohore shqiptare: Petro Marko, Shevqet Musaraj, Spiro Çomora, Fatos Arapi e Neshat Tozaj.
Nga Vlora evidentohen dhe pesë shkrimtarë të shquar për fëmijë: Odhise Grillo -lëvrues i madh i letërsisë moderne shqipe për fëmijë, autor i mbi 120 librave dhe fitues i 30 çmimeve të para; poeti Tasim Gjokutaj, origjinal në humorin dhe satirën e tij; Ferhat Çakërri, ose “xhaxhi Ferati”, siç i thërrisnin në Vlorë mikut të Dritëroit të madh e fëmijëve të vegjël; Skënder Hasko që i sjell frymëzime të thella botës letrare fëminore;
Bardhosh Gaçe me magjinë e ëmbël të fjalës për vogëlushët,ndërkohë dhe studiues me vullnet balzakian për kulturën vlonjate e më gjerë.
Një rrymë e re letrare
Gjatë viteve 1985-1995 një rrymë e re letrare lind në Vlorë, e përfaqësuar nga Seit Seitaj,
Xhemil Lato, Albert Abazi e Qerim Skënderi. Nëqoftëse, deri atëherë njihej në nivel kombëtar Shkolla Vlonjate e Pikturës, po konturohej tashmë denjësisht Shkolla Poetike e Vlorës, (krahas shkollave të tjera, kuptohet). Ndihej, tok me shqetësimin qytetar e intelektual, aroma e së nesërmes dhe vizioni universal i poetëve të rinj, që tashmë s’ishin më të rinj e të pakët, sepse shoqëria letrare e qytetit po rritej dhe njëkohësisht ngrihej cilësisht me individualitete të dalluara për nivel artistik në veprat e tyre. Idajet Jahaj, Enrieta Sina, Eqrem Canaj Anastas Bita,Aleksandër Çipa, Hiqmet Mehmetaj, Elma Rama, Kozma Billa, Gëzim Llojdia, Astrit Xhaferi, Albana Hodo, Avni Varfi, Liljana Zoga, Astrit Hajdini, Laureta Petoshati, Ruzhdi Bajrami, Nertesi Asllani, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Myrteza Mara, Tomor Balla,Sinan Elmazi,Blerina Kotorri, Vangjel Stefa, Luto Memokondi, Leka Skëndaj, Vjollca Staro, Pajtim Xhelo, Vangjel Pici, Pelivan Bajrami, Mynyr Zyka, Kudret Mara, Pali Shtëmbari, Zyba Hysa (Bashmili), Ylli Bora, Petrit Velaj, Enver Qamo, Asqeri Llanaj, Shkëlqim Zotaj, Çlirim Hoxha, Novruz Abilekaj, Pelivan Bajrami, Ideal Muho, Petrit Qejvani, Andi Meçaj, Robert Goro, Besiana Koshena, Valbona Gaçe, Zenepe Luka, Thodhori Babe, Sokrat Habilaj, Idlir Azizi, Kristo Çipa, Neki Dredha, Kristaq Xhaho, Dionis Qirixidhi, Elisabeta Alikaj, Lavdie Çela e të tjerë emra që do të vijojnë, përbëjnë gjethet e degët e gjelbra të pemës së shëndetshme të krijimit letrar në Vlorë.