Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaron se ky vit ka shënuar ulje rekord të nivelit të humbjeve në rrjet dhe një rritje arkëtimesh rekord që pritet të mundësojnë vazhdimin e investimeve për përmirësimin e cilësisë të furnizimit me energji.
Niveli i humbjeve në rrjet për 11 mujorin e vitit 2018 ka qenë 23,6%.
Ky është niveli me i ulët i humbjeve në rrjet për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike gjatë 5 viteve të fundit. Ndërkohë që në vitin 2017 humbjet në rrjet kanë qenë 26,2%, në vitin 2016, 27,7%, në vitin 2015, 31%, në vitin 2014, 37,8%, dhe në vitin 2013 44,1%.
Krahasuar me vitin 2013 humbjet janë -20%, ndërsa krahasuar me vitin 2018 humbjet janë -2,7%.
Rrjedhimisht edhe niveli i arkëtimeve nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka shënuar një rritje të konsiderueshme për vitin 2018.
Në 11 mujorin e parë të 2018, janë arkëtuar 59, 78 miliardë lekë. Në vitin 2017 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka arkëtuar 58,07 miliardë lekë.
Në vitin 2016 ka arkëtuar 55,04 miliardë lekë.
Në vitin 2015 ka arkëtuar 59,40 miliardë lekë.
Në vitin 2014 ka arkëtuar 42,84 miliardë lekë.
Në vitin 2013 ka arkëtuar 34,96 miliardë lekë.
Krahasuar me vitin e shkuar, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ka arkëtuar 2,9% më shumë ose 1,71 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka publikuar edhe numrin e ankesave të qytetarëve dhe sa janë zgjidhur gjate 11 mujorit të parë të këtij viti dhe viti të shkuar.
Gjatë 11 muajve të vitit 2018, janë bërë 37 653 ankesa, dhe janë zgjidhur të gjitha, në masën 100%.
Ndërsa në vitin 2017, janë bërë 58 112 ankesa, dhe janë zgjidhur 45 858 prej tyre. /ATSH