Aeroporti i Kukësit me koncesion, MIE publikon ofertat dhe shumën investuese

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikon praktikën mbi procedurën konkuruese për dhënien me koncesion/ppp të Aeroportit të Kukësit.

Në njoftim sqarohet se afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave nga operatorë të ndryshëm ekonomik në këtë procedurë konkurruese ka përfunduar me datë 20.12.2018.

Komisioni, pas hapjes së ofertave konstaton se ka paraqitur ofertën e tij për këtë procedurë një operator ekonomik dhe më konkretisht bashkimi i përkohshëm i shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, ku në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve, nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp, do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk.

MIE sqaron se një nga kriteret kualifikuese të kësaj procedure ishte pjesëmarrja e një shoqërie/ekspertesh me përvojë në fushën e operimit dhe menaxhimit të aeroporteve e pajisur me licencat përkatëse lëshuar nga autoritetet ndërkombëtare të aviacionit, nëpërmjet një marrëveshje/kontrate me operatorin ekonomik.

Në dokumentet e dorëzuara nga konsorciumi që ka paraqitur ofertë në këtë procedurë gare është përfshirë dhe marrëveshja mes konsorciumit dhe kompanisë holandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve.

Komisioni është duke vazhduar shqyrtimin e të gjithë dokumentacionit të paraqitur në formë elektronike nga ky bashkim i shoqërive dhe bën të ditur se oferta financiare e paraqitur nga Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk është: Total vlera e investimit (CAPEX): 7.999.393 euro pa TVSH.

Pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të dokumentacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të informojë median dhe opinionin publik në lidhje me vendimmarrjet e mëtejshme të komisionit në këtë procedurë konkurruese. /ATSH

Loading...