Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, duke paralajmëruar se ai do të nisë një “spastrim” javën e ardhshme.
Sipas Lalës, do të ketë ndryshime të shefave të komisariateve dhe të pesë drejtorëve të policive në qarqet e vendit. “Në dijenin time, sipas informacioneve që kam, do të ndryshohen të paktën pesë drejtues policie në qarqet e vendit. Do të ketë ndryshime javën që vjen, të gjithë shefat e komisariatëve. Do të ketë shumë lëvizje dhe do të sjellin diçka pozitive“, tha Lala. Sipas gazetares, drejtori i ri, Gledis Nano, ka mbështetje të faktorit ndërkombëtar, konkretisht të amerikanëve.
“Karrierën e tij e ka shënjuar një hetim për grupin e xhihadistëve. Është hetim kompleks, suportuar nga amerikanët. Prokurore ka qenë Elisabeta Imeraj. Zoti Nano ka patur karrierë graduale. Ka patur një incident në 2008, është larguar nga Policia e Shtetit. Karriera u shenjua kur hetoi ata që konsideroheshin si xhihadistët. Mori suportin e amerikanëve.
Ka patur disa raste, që amerikanët i kanë vlerësuar si të suksesshme.
Zoti Nano ka një sfidë shumë të vështirë. Duhet të zhbëjë shumë gjëra që janë bërë keq nga paraardhësit. Duhet të mos i nënshtrohet politikës. Nëse i nënshtrohet, betejën e ka të humbur. Nëse i reziston politikës, ka dhe mbështetjen e amerikanëve, mund t’ja dalë mbarë“, tha ajo. /TPZ.al/